Megjithëse gjatë vitit 2025 treguesit e tregut të punës në Shqipëri shënuan përmirësim, një numër i konsiderueshëm individësh me diplomë universitare vijojnë të mbeten pa punë, edhe pse janë aktivë në kërkimin e saj.
Në raportin “Tregu i Punës 2025” të INSTAT evidentohet se 17,800 persona me arsim të lartë rezultonin të papunë. Pjesa më e madhe e këtij numri i përket moshave të reja, çka nxjerr në pah vështirësitë me të cilat përballen të diplomuarit për t’u punësuar pasi mbarojnë studimet.
Të lidhura
None found
Sipas të dhënave statistikore, nga 17,800 të papunët me arsim të lartë që kërkojnë punë, 5,370 janë të grup-moshës 15-24 vjeç, ndërsa 4,323 janë 25-29 vjeç. Në total, 9.693 persona, ose rreth 55% e gjithë të papunëve me diplomë universitare, janë nën 30 vjeç. Kjo tregon se sfida kryesore mbetet hyrja e të rinjve të diplomuar në tregun e punës.
Pas grupit të të rinjve, numri më i lartë i të papunëve i përket moshës 25-54 vjeç, me 11.284 persona, ndërsa ata me arsim universitar që janë mbi 55 vjeç paraqiten në një nivel dukshëm më të ulët.
Në tërësi, INSTAT vlerëson se gjatë vitit 2025 në Shqipëri kishte 107.548 persona të papunë. Prej tyre, 45,764 kishin arsim të mesëm, 43,984 arsim 8/9-vjeçar dhe 17.800 arsim të lartë. Kjo nënkupton se personat me diplomë universitare përbëjnë afërsisht 16.5% të totalit të të papunëve në vend që duan të punojnë, por nuk arrijnë të gjejnë një vend pune.
Fakti që më shumë se gjysma e tyre janë nën moshën 30 vjeç tregon se kalimi nga universiteti drejt punësimit mbetet një nga nyjat më problematike të tregut të punës në Shqipëri, edhe pse treguesit e përgjithshëm të punësimit janë përmirësuar.
Një nga arsyet kryesore lidhet me mospërputhjen mes diplomave që ofrohen dhe kërkesës konkrete të tregut. Ekonomia shqiptare vazhdon të hapë më shumë vende pune në sektorë si shërbimet, turizmi, ndërtimi dhe tregtia, ndërkohë që shumë të rinj diplomohen në fusha që jo gjithmonë përputhen me nevojat e bizneseve.
Një tjetër element është mungesa e eksperiencës. Të rinjtë me arsim të lartë shpesh futen në tregun e punës me diplomë në dorë, por pa aftësitë teknike, digjitale, gjuhësore apo profesionale që kërkohen nga punëdhënësit.
Po ashtu, një pjesë e të diplomuarve kanë pritshmëri më të larta për pagën dhe pozicionin, ndaj nuk pranojnë punë që nuk lidhen me profesionin e tyre ose që ofrojnë paga të ulëta. Si pasojë, periudha e papunësisë pas diplomimit zgjatet.
Në thelb, problemi kryesor mbetet lidhja e dobët mes arsimit dhe nevojave të tregut. Praktikat profesionale, orientimi në karrierë dhe bashkëpunimi me kompanitë ende nuk janë në nivelin e duhur për ta bërë më të shpejtë kalimin nga shkolla në punë.
