Tërmeti vdekjeprurës në Turqi, mes të lëndurave 2 studentë nga Maqedonia e Veriut

Dy studentë nga Maqedonia e Veriut janë lënduar si pasojë e tërmetit shkatërrues që goditi Turqinë juglindore dhe Sirinë veriore mëngjesin e sotëm.

Ata kanë pësuar lëndime fizike: njëri ka lëndime më të rënda dhe aktualisht është duke u mjekuar nga personeli mjekësor, ndërsa tjetri ka lëndime të lehta. Për fat të mirë dy studentët janë jashtë rrezikut për jetën.

Lajmi është bërë i ditur nga ministria e Punëve të Jashtme në Maqedoninë e Veriut.
Nga MPJ thonë se informacionet bëjnë me dije se nëntë qytetarë të Maqedonisë së Veriut ndodhen në rajonin e kërcënuar nga tërmeti.

Bëhet fjalë për tetë nxënës dhe mentor/mësues të tyre, të cilët po qëndrojnë në Republikën e Turqisë përmes programit “Erasmus Plus”.

Sipas udhëzimeve të MPJ-së, tashmë në rajon është dërguar një diplomat nga Ambasada në Ankara për të ndihmuar në evakuimin e studentëve nga qyteti Kahraman Marash, si dhe për të dhënë informacion dhe prezencë direkt në terren në zonat më të rrezikuara. për ndërhyrje të mundshme shtesë.

Nga tërmetet e fuqishme që goditën Turqinë dhe Sirinë, janë vrarë mbi 1.600 persona. Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se vetëm në shtetin e tij janë regjistruar 912 viktima. Ndërkaq, Siria raportoi për 783 të vdekur.
Tërmeti prej 7.8 shkallësh të Rihterit goditi të hënën juglindjen e Turqisë dhe veriun e Sirisë.

Agjencia për menaxhimin e emergjencave raportoi se të hënën u regjistrua edhe një tërmet i ri prej 7.6 ballësh, afër epiqendrës së tërmetit paraprak vdekjeprurës, duke shkaktuar dridhje të tjera të tokës.
Presidenti turk tha më herët se 5.400 persona janë plagosur, ndërkaq 2.470 të tjerë janë nxjerrë nga rrënojat.

Afër 3.000 ndërtesa janë rrëzuar nga tërmeti, tha ai./albeu.com/