Tensionet me SHBA në rritje, reagon kreu i CIA-s në Rusi: Ja për çfarë po diskutohet

Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), William Burns, ka zhvilluar bisedime në Moskë me shefin e Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR) Sergei Naryshkin. Ata diskutuan për bashkëpunimin dypalësh në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.

Kreu i CIA-s ndodhet në Rusi në kohën kur tensionet mes dy vendeve janë në rritje.

Shërbimi i Inteligjencës ruse tha përmes një deklarate se “fokusi i bisedimeve ishte ndërveprimi në kontekstin e raporteve mes dy vendeve me theks të veçantë luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar”.

Një ditë më parë, Burns dhe Nikolai Patrushev, udhëheqës i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, “kanë diskutuar marrëdhëniet Rusi-SHBA”, është thënë në një komunikatë për media të këtij Këshilli më 2 nëntor.

Marrëdhëniet e Rusisë me Shtetet e Bashkuara janë në nivelet më të ulëta prej periudhës pas Luftës së Ftohtë, kryesisht për shkak të ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet amerikane, aneksimin e Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Moska, konfliktet në lindje të Ukrainës, sulmet kibernetike që dyshohet se i kanë kryer hakerët rusë dhe helmimin e kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny.

Biden, ka thënë se pavarësisht tensioneve, administrata e tij synon gjetjen e mënyrave të bashkëpunimit me Moskën për çështje specifike, siç janë zvogëlimi i armëve strategjike, bisedimet me Iranin për armë bërthamore dhe luftimin e sulmeve kibernetike./REL