Basha i thotë “Jo” për herë të tretë Ramës

Delvina ishte këtë mëngjes ndalesa e dytë e kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha nga ku ai i tha sërish “jo” nga Delvina kryeministrit Rama për ftesën e këtij të fundit për bashkëpunim. Basha tha se koha e tij ka mbaruar dhe se shqiptarët do ta largojnë me votë.

“Jam i lumtur që ndodhem këtu në rrugëtimin tonë nga Jugu në Veri. Në 9 ndalesa njësoj si 9 shifra jo, 9 e ndryshimit më 25 prill. Kudo ku kam qenë këto javë prek entuziazmin dhe dëshirën e  njerëzve për ndryshim. Padurimin e nënave për ndryshim për fëmijët e tyre. Prek padurimin  baballarëve për të bërë realitet shpresën dhe padurimin e të rinjve, entuziazmin e tyre. Dita po vjen, për ta hapur sëbashku rrugën e Shqipërisë si gjithë Europa. Ndryshimi ndihet kudo. Në sytë dhe zemrat tuas shpresa tashmë ka mbërritur. Është e pandalshme që Delvina dhe Shqipëria të kthehet te zotërit e saj që jeni ju. E shoh dhe e prek edhe tek socialistët e thjeshtë që njësoj si qytetarët e tjerë kanë ndarë të njëjtat vuajtje.

E kanë ndjerë dyfish dhimbjen sepse kanë punuar për PS dhe sot janë dyfish të zhgënjyer. Ju them sot socialistëve ngrijeni kokën, bashkohuni me ne. Bëhuni pjesë e ndryshimit. Ejani të votojmë për numrin 9 ta ndryshojmë Shqipërinë. Bashkë për ndryshim, për t’i kthyer shqiptarëve shpresën. Të votojmë numrin 9 dhe të hapim rrugën e mirëqënies. Ne kemi një plan që do të mundësoje që banorët punëtorë të Delvinës dhe Shqipërisë të gëzojnë frytet e djersës së tyre. Kjo tokë e lashtë ka thesare. Qeveria në ikje e bëri naftën më të lirë për jahtet sesa për fermerët. Projektin që ne nisëm Kardhiq-Delvinë e la në vendnumëro. Për tetë vite e la atë projekt në baltë. Dhe tani ka guximin të vijë dhe të kërkojë edhe katër vite të tjera. E la vendin tonë në errësirë dhe varfëri. Mos ia hapni derën ndryshimit për herë të tretë. Ne do ta bëjmë realitet hapjen e negociatave brenda 100 ditëve të para. Ai e kupton se ne mund të bëjmë realitet dhe tani kërkon të bëhet pjesë e qeverisjes sonë. Përgjigja ime nga Delvina është jo nuk ka për të ndodhur. Koha e Edi Ramës ka mbaruar, erdhi dita për votën tuaj. Në familjet tuaj, në pronat tuaja, në këtë trevë të mrekullueshme ndryshimi nuk vjen pa larguar Edi Ramën. Le të bëhemi bashkë, krah për krah si një familje e madhe duke përfshirë mijëra socialistë të ndershëm, le tu themi se ndryshimi që do vijë nuk do të na ndajë por do të na bashkojë. Unë do të jem kryeministër i të gjithë shqiptarëve,” tha Basha.


Shtuar 17.04.2021 11:05