Takimi me ambasadoren Kim, reagon Taulant Balla

Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Tualant Balla, ka reaguar pas takimit me ambasadoren amerikane Yuri Kim.

Balla është shprehur se takimet me Kim janë gjithmonë të frytshme dhe sipas tij, bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara sot është në një nivel të shkëlqyer.

Ai shtoi se sulmi rus mbi Ukrainë është një sulm ndaj demokracisë.

“Gjithmonë të frytshme takimet me Ambasadoren e SHBA-ve në Tiranë Yuri Kim. Bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është sot në një nivel të shkëlqyer në dobi të zhvillimeve demokratike, të forcimit të shtetit ligjor dhe të parimeve të ekonomisë së tregut, në mbështetje të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, të ruajtjes së stabilitetit, paqes e prosperitetit në rajonin tonë e më gjerë, luftës kundër terrorizmit si dhe në qasjen e përbashkët mbrojtëse dhe reaguese ndaj sulmeve kibernetike.

Jemi mirënjohës SHBA-ve dhe Ambasadës në Tiranë për bashkëpunimin dhe mbështetjen gjatë gjithë këtyre viteve që i kanë dhënë Shqipërisë në mënyrë të veçantë gjatë hartimit dhe zbatimit të Reformës në Drejtësi si dhe në ngritjen e forcimin e kapaciteteve institucionale në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtësisht me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë edhe në përmirësimin e kuadrit ligjor për financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore. Rusia është e përfshirë prej kohësh në sulmet ndaj demokracisë në shumë vende përmes financimit të partive politike dhe aktorëve të tjerë. Kujtoj se Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në dhjetor 2019 një Rezolutë “Për ndërhyrjet e huaja në proceset zgjedhore dhe dezinformimin në proceset demokratike kombëtare”, duke i’u referuar pikërisht këtyre kërcënimeve dhe duke u kërkuar institucioneve marrjen e të gjitha masave mbrojtëse dhe parandaluese”, tha Balla.