Situata delikate në Bosnjë, reagon OSBE: Republika serbe po rrezikon stabilitetin dhe paqen në rajon

Kryetarja e OSBE-së, ministrja e Jashtme suedeze Ann Linde dhe sekretarja e Përgjithshme e Organizatës Helga Maria Schmid janë shprehur se Republika serbe po rrezikon stabilitetin dhe paqen në rajon.

Ato vlerësuan sot se miratimi i një sërë konkluzionesh në Asamblenë e Republikës Serbe që bëjnë thirrje për një tërheqje të njëanshme nga nivelet e shtetit dhe të entiteteve kërcënon paqen dhe stabilitetin në Bonjë dhe rajon.

Ann Linde beson se masa çon në një përshkallëzim të tensioneve dhe është në kundërshtim me atë që është arritur në 26 vjetët e fundit.

“U bëjmë thirrje udhëheqësve politikë në Republikën Serbe që të përmbahen nga veprimet politike negative që shkaktojnë ndarje,” tha Linde.

Ajo shtoi se rrezikimi i Marrëveshjes së Dejtonit dhe rendit kushtetues të Bosnjë Hercekovinës mbart me vete rrezikimin e paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon.

“Për fat të keq, barra e kësaj krize do të bjerë sërish mbi qytetarët që tashmë po përballen me rritje të papunësisë, korrupsionit dhe mangësive shëndetësore”, pohon ajo.

Linde dhe Schmid u bënë thirrje të gjitha palëve që të rivendosin funksionalitetin e plotë të institucioneve të nivelit shtetëror dhe të angazhohen në dialog politik konstruktiv në mënyrë që të arrihet një konsensus për të mirën e të gjithë qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës./albeu.com/

 

 

 

 

 


Shtuar 12.12.2021 21:59