“Shqipëria, në qendër të vëmendjes botërore”: Ish-zv/ministrja e PS sfidon Ramën, protesta solli atë që qeveria nuk e arriti me miliona euro lobim e propagandë

Nga Ornela Çuçi, ish-zv/ministre e Turizmit dhe Mjedisit

Prej 23 ditësh në Tiranë po zhvillohet diçka që unë nuk e kisha parë prej një kohe të gjatë. Nuk e kam fjalën për protestën, por për njerëzit. Për ata që komunikojnë me njëri-tjetrin, që qeshin, që ndalen të përshëndesin dikë të panjohur prej vitesh dhe që flasin për të ardhmen, jo vetëm për largimin. Pas shumë kohësh, në këtë qytet po shoh qytetarë që duket sikur besojnë ende se fjala e tyre ka peshë. Duke vëzhguar këtë frymë, kuptova se ajo që shfaqet çdo mbrëmje në bulevard është vetëm një pjesë e vogël e asaj që po ndodh në të vërtetë. Njerëzit nuk po shkojnë aty thjesht për të protestuar; po e organizojnë jetën e tyre rreth saj. Sot vjen burri, nesër gruaja.

Të lidhura

None found

Njëri qëndron disa orë dhe ikën për t’u marrë me fëmijët, ndërsa tjetri e zëvendëson më pas. Disa dalin pas pune, të tjerë para se të fillojë dita e punës. Ka nga ata që qëndrojnë pak dhe rikthehen të nesërmen, ndërsa disa të tjerë i bashkohen vetëm marshimit. Disa presin që turma të kalojë pranë pallatit dhe dalin për pak minuta. Protesta duket sikur lëviz me turne. Pikërisht kjo më ka bindur se ajo që shohim në rrugë është vetëm një copëz e vogël e realitetit. Sepse protesta nuk përbëhet vetëm nga turma e dukshme. Ajo përfshin edhe njerëzit që nuk i shohim. Janë punonjësit e administratës publike që pajtohen me shumë prej gjërave që thuhen aty, por nuk guxojnë të dalin. Jo pse nuk duan, por sepse e dinë se në këtë vend vendi i punës shpesh varet nga bindja, jo nga aftësia.

Janë edhe punonjësit e kompanive që sot janë sekuestruar, nesër mund të sekuestrohen, ose që prej muajsh jetojnë me pasigurinë se çfarë do të ndodhë me punën e tyre. Janë familjet e tyre. Janë bizneset që heshtin nga frika e inspektorëve në derë. Janë profesionistët që nuk flasin, sepse dikush nga drejtuesit e kompanisë u ka bërë të qartë se fati i tyre dhe i kompanisë lidhet me këtë qeveri. Janë njerëz që nuk protestojnë sepse kanë frikë ta bëjnë këtë. Pakënaqësia për atë që po ndodh në këtë vend nuk zhduket aty ku në protestë del vetëm një njeri. Ajo nuk zhduket as në administratë, as në kompani. Thjesht mbetet e padukshme për shkak të frikës. Dhe pikërisht për këtë arsye, numri i pjesëmarrësve në shesh nuk e tregon domosdoshmërisht shkallën e pakënaqësisë. Madje, ndonjëherë ndodh edhe e kundërta. Në vende ku njerëzit ndihen të lirë, pakënaqësia shfaqet lehtësisht.

Në vende ku ekziston frika për vendin e punës, për kontratën, për biznesin apo për të ardhmen e familjes, pakënaqësia fshihet. Kryeministri ka zgjedhur ta shpjegojë këtë protestë në çdo mënyrë të mundshme, përveçse si pasojë e vetë qeverisjes së tij. Ditët e fundit janë dëgjuar teori nga më të ndryshmet, deri te pretendimi se në Tiranë po luhet një pjesë e rëndësishme e gjeopolitikës globale. Edhe kjo mund të ndodhë. Ëndrra janë… Mund të ketë ndërthurje interesash politike, ekonomike apo ndërkombëtare me atë që po ndodh. Historia është plot me raste kur përplasjet më të mëdha se vetë vendet janë pasqyruar në beteja lokale. Megjithatë, ekziston një element që asnjë teori gjeopolitike nuk e shpjegon dot: energjia e kësaj proteste. Sepse njerëzit mund të organizohen, mund të mobilizohen dhe madje edhe të nxiten për arsye të ndryshme. Por askush nuk mund të sjellë artificialisht në bulevard zhgënjimin e një shoqërie.

Askush nuk mund të prodhojë me forcë ndjesinë e padrejtësisë, lodhjen, mosbesimin dhe frustrimin që janë grumbulluar me vite. Këto ose ekzistojnë, ose jo. Dhe ndoshta pikërisht pse kjo energji është e vërtetë, protesta ka nisur të sjellë diçka që shkon përtej bulevardit. Ka nisur të tërheqë vëmendje. Jo vetëm në Tiranë, por edhe jashtë saj. Jo vetëm te ata që protestojnë, por edhe te ata që prej vitesh e kanë parë Shqipërinë përmes historive të ndërtuara me kujdes nga makina e komunikimit shtetëror. Këtu qëndron edhe ironia më e madhe e kësaj historie. Për më shumë se një dekadë, kjo qeveri ka shpenzuar energji, kohë dhe para të shumta nga buxheti i shtetit për ta kthyer Shqipërinë në lajm ndërkombëtar. Janë paguar kompani komunikimi, janë organizuar samite, janë prodhuar fushata promovuese, janë blerë hapësira mediatike dhe janë ndërtuar me kujdes histori suksesi për përdorim jashtë vendit.

Për vite të tëra kemi parë Shqipërinë e fasadës që i është prezantuar botës. Dhe mirë është bërë, sepse Shqipëria është e bukura e dheut dhe meriton të promovohet. Kemi parë Shqipërinë e transformimit, të mrekullisë digjitale dhe të historive që duhej të shfaqeshin në faqet e para të gazetave botërore. Kemi parë deri edhe “Diellën” të shndërrohej në simbol të Shqipërisë së re dhe moderne. Megjithatë, asnjëra prej tyre nuk e arriti atë që po arrin sot protesta. Sot Shqipëria është sërish në faqet e para të mediave ndërkombëtare. Vetëm se këtë herë jo falë një kontrate komunikimi, një kompanie lobimi apo një fushate marketingu. Është aty sepse mijëra qytetarë kanë krijuar një histori që nuk blihet dhe nuk kontrollohet.

Nëse kryeministri ka të drejtë dhe e gjithë gjeopolitika globale po luhet sot në Tiranë, atëherë duhet pranuar se më në fund ia doli. Ëndrra për të qenë kryelajm ndërkombëtar u realizua. Vetëm se, për herë të parë pas shumë vitesh, për këtë reklamë nuk u pagua asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit. E paguan qytetarët me kohën e tyre, me këmbënguljen e tyre, me netët e tyre në bulevard dhe me guximin për të mos u larguar. Dhe kjo është ndoshta arsyeja pse kjo histori po lexohet kudo. O sa mirë me qenë shqiptar!!!


Shtuar 25.06.2026 12:52

Tags: ,
matbetdeneme bonusuDeneme Bonusu Veren SitelerDeneme Bonusu Veren Sitelercasibommeritkingjojobetkralbetbetparkbetpark girişGrandpashabetgrandpashabetgrandpashabetTimebetgrandpashabetgrandpashabetTimebetGrandpashabetGrandpashabetgrandpashabetcasibomjojobetnakitbahisjojobetjojobet girişUltrabetmatbetbahiscasinoMadridbetMadridbetMadridbetMadridbetcasibomMarsbahiscasibomgrandpashabet girişJojobetJojobetcasibomcasibomjojobetgrandpashabetcasibomgrandpashabet girişbetciograndpashabet girişcasibom girişgrandpashabet girişgrandpashabetgrandpashabet