Prokurori Ervin Karanxha është shkarkuar sot nga detyra pasi nuk justifikon pasurinë. Karanxha nuk ka mundur të kalojë shkallën e parë të vettingut, teksa në seancën e sotme në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit ka pasur debate dhe avokatët e tij janë nxjerrë jashtë nga efektivët e Gardës së Republikës.
Seanca e parë dëgjimore në KPK u shty nga prokurori Karanxha për arsye shëndetësore. Ndërkaq në seancën e kaluar, prokurori dhe avokatët e tij kërkuan përjashtimin e gjyqtarit. Trupa gjykuese përbëhej nga Etleda Çiftja, Valbona Sanxhaktari dhe Pamela Qirko.
Sot prokurori me gjithë avokatët janë paraqitur në seancë, për të cilën pretendonin se do të ishte dëgjimore dhe jo për shpalljen e vendimit nga KPK. Kjo gjë ka sjellë debate dhe për këtë arsye avokatët janë nxjerrë jashtë, ndërsa më pas trupa gjykuese ka shpallur vendimin duke e përjashtuar nga sistemi i drejtësisë.
Ervin Karanxha ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2003 dhe u emërua prokuror në Prokurorinë e Tiranës, ku ushtronte funksionin prej gati dy dekadash.
Më herët KPK ka shkarkuar dhe bashkëshorten e tij Bernina Kondi, gjyqtare në Gjykatën Administrative të pelit Tiranë.
Në deklarimin për herë të parë në vitin 2003, prokurori Ervin Karanxha deklaron pasuri prej 434 mijë lekësh, ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria familjare kap vlerën e 19.8 milionë lekëve.
Karanxha zotëron familjarisht pasuri të paluajtshme me vlerë 13.5 milionë lekë dhe kursime në cash prej 6.2 milionë lekësh.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 22.9 milionë lekë, nga të cilat 60% kanë si burim pagën e subjektit si prokuror dhe 39% pagat e familjarëve.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit, njëra prej deklaratave rezultoi me probleme.
Subjekti Ervin Karanxha rezulton me pamjaftueshmëri të burimeve financiare për të mbuluar shtesën e aseteve në vitin 2011 në vlerën 215,847 lekë, pa llogaritur shpenzimet vjetore për konsum familjar.
Në vitin 2009, bashkëshortja e subjektit deklaron si person i lidhur një apartament banimi të blerë në vitin 2005 me vlerë 39,000 euro. Si burim financimi për këtë apartament, ajo deklaron vetëm një kredi bankare prej 2,500,000 lekë. Gjithashtu në vitin 2010, deklarohet shlyerja e kësaj kredie përmes një kontrate huaje me vlerë 1,200,000 lekë.
Në vitin 2011, subjekti deklaron shtesë apartament banimi me sipërfaqe 114.5 m2 në Berat me vlerë 6,000,000 lekë, por në qershor të vitit 2011, kontrata është revokuar. Më 1 tetor është blerë apartament banimi me sipërfaqe 90.12 m2, me vlerë 8,200,000 lekë në Tiranë, me burim financimi 1,000,000 lekë kursime të akumuluara dhe 5,000,000 lekë kredi bankare.
Në fund të vitit 2017 sipas deklarimeve, subjekti Ervin Karanxha rezulton me gjendje Cash progresive në vlerë 6,296,515 lekë. Nga kjo gjendje, 35,000 dollarë i përkasin babait të deklaruesit, 409,625 lekë bashkëshortes dhe diferenca janë kursime të akumuluara ndër vite të deklaruesit.