Revolta popullore ka marrë mbështetje të hapur edhe nga komuniteti akademik. Në një deklaratë me pesë pika, të hartuar me nismën e Forumit për Dialog Politik, 735 pedagogë dhe figura të njohura të arsimit e jetës publike kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të Kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie kujdestare dhe ndalimin e dhunës policore ndaj të rinjve.
Mes firmëtarëve janë akademikët Stefan Çapaliku, Ardian Ndreca, Fatos Tarifa, Zyhdi Teqja, Andri Koxhaj, Petraq Milo, Gjok Vuksani, Fatos Qerimaj, Gentian Stroni, Enkeleda Olldashi, Kozeta Bakiu, Suzana Guxholli, Areti Stringa, Voltana Ademi, Enida Bozhegu dhe Lutfi Dervishi. Deklaratën e ka nënshkruar gjithashtu edhe anëtari i Senatit Akademik, Arbër Rendi.
Të lidhura
None found
Duke reaguar ndaj dhunës që e konsiderojnë të pajustifikuar dhe ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut gjatë protestave, pedagogët shprehen se nuk mund të qëndrojnë më pasivë përballë shtypjes së studentëve të tyre.
Një nga kërkesat kryesore drejtuar kryeministrit është që të japë dorëheqjen, me qëllim hapjen e rrugës për qetësimin e situatës në vend. Në deklaratë kërkohet edhe ngritja e një qeverie kujdestare, e cila do të garantonte stabilitetin institucional dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve.
Policia e Shtetit dhe strukturat e rendit thirren të ndalojnë pa vonesë përdorimin e dhunës ndaj studentëve, si dhe të mos zbatojnë urdhra që bien ndesh me ligjin.
Akademikët u drejtohen edhe përfaqësive diplomatike në Tiranë, duke u kërkuar atyre të reagojnë publikisht për ndalimin e shkeljeve të të drejtave dhe lirive themelore.
Protestuesve u kërkohet të mbrojnë bizneset dhe pronën publike e private, në mënyrë që regjimit të mos i jepet asnjë justifikim për përdorimin e dhunës apo për delegjitimimin e revoltës.
Ndërkohë, qytetarët e Tiranës ftohen të mbështesin të rinjtë dhe të shërbejnë si mburojë përballë dhunës shtetërore, njësoj si në ditët historike të rrëzimit të diktaturës.






