Diskutimet mbi numrin e hyrjeve dhe daljeve në diskotekën “Pulse” në Koçan, si dhe mbi mundësinë e evakuimit të të pranishmëve natën kur shpërtheu zjarri, sollën kundërshtime nga mbrojtja dhe reagime të familjarëve të viktimave gjatë seancës së zhvilluar në sallën e gjyqit të Idrizovës, pranë Gjykatës Themelore Penale në Shkup.
Të lidhura
None found
Gjatë vijimit të seancës, prokurori Darko Jakimovski e pyeti ekspertin e angazhuar nga mbrojtja, Petre Ruseski, për numrin dhe përdorshmërinë e daljeve të objektit, materialet e ndërtimit, planin e evakuimit, nxjerrjen e vizitorëve, si dhe funksionimin e ventilimit. Këto pyetje u lidhën me deklarimin se eksperti kishte kryer një analizë dhe kishte vlerësuar që objekti përmbushte kërkesat minimale teknike.
Ruseski mohoi se kishte bërë një analizë të tillë. Ai sqaroi se përfundimet e përmendura prej tij ishin përcaktuar më parë nga institucionet kompetente, përfshirë Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe dokumentet e lëshuara prej tyre.
“Kur merret leja e ndërtimit, duhet të dorëzohet edhe raporti për mbrojtjen nga zjarri. Duke qenë se ky raport është miratuar, atëherë ndërtesa është ndërtuar sipas kërkesave përkatëse. Objektit i është dhënë gjithashtu leje përdorimi si ndërtesë biznesi dhe, në këtë pikë, Ligji për Ndërtimin nuk ka më kompetencë. Për aktivitetin që zhvillohet në objekt janë institucionet përkatëse ato që kontrollojnë raportet dhe kanë përgjegjësinë për verifikimet. Për natën kritike, nëse këto kërkesa janë respektuar ose jo, duhet të përgjigjet një person i kualifikuar për mbrojtjen nga zjarri; ne, si arkitektë dhe ekspertë të ndërtimit, nuk mundemi”, deklaroi Ruseski.
Kur Jakimovski e pyeti nëse nga raporti i tij mund të konkludohej se vizitorët kishin mundur t’i përdornin të tria dyert për evakuim atë mbrëmje, eksperti u përgjigj: “Kam thënë se kishte tri hyrje dhe dalje, por jo për evakuim. Kjo është çështje për një zjarrfikës të kualifikuar”.
Pas pyetjeve të tjera të prokurorit, i cili kërkoi një shpjegim konkret se si ishte arritur në përfundimin për ekzistencën e tri dyerve dhe jo vetëm të njërës, që u bllokua gjatë rrëmujës dhe pengoi daljen e vizitorëve pas shpërthimit të zjarrit, i akuzuari i parë, Dejan Jovanov, i bërtiti ekspertit: “Nëse do ta dish, unë isha i fundit që dola nga ajo derë!”/Telegrafi/






