Sherr me armë në Lipjan, vritet një person dhe plagosen disa të tjerë

Një person është vrarë dhe disa të tjerë janë lënduar si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes disa personave, mbrëmjen e së enjtes në fshatin Gadime të Lipjanit.

Lajmin e ka konfirmuar  zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i cili ka thënë se policia ka arrestuar një person si të dyshuar kryesor.

“Rreth orës 22:00, policia ka marrë informatën për një vrasje të ndodhur ne rrugën “6 Maji” në fshatin Gadime në Lipjan. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Nga informacionet e para janë ngritur dyshimet se një mosmarrëveshje mes disa personash ka rezultuar me vrasje të një personi, ndërkohë që dyshohet edhe për disa të lënduar. Policia ka arrestuar një person si të dyshuarin kryesor si dhe ka sekuestruar një armë që dyshohet të jetë arma e përdorur në rast”, ka thënë Borovci.

Sipas tij, aktualisht po vijon faza fillestare e ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe atyre të ekzaminimit të vendngjarjes për ndriçimin e plotë të rastit.


Shtuar 16.07.2021 08:30

Tags: ,