Rikthimi i Berishës në PD në duart e Flutura Açkës

Krahas aksionit për rrëzimin e Lulzim Bashës, Sali Berisha kërkon përmes kryesisë së FRPD-së, zhvillimin e një referendumi në parti, me qëllim për rrëzimin e vendimit individual të Bashës, për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar demokrat dhe rrjedhimisht nga partia. Por, statuti i Partisë Demokratike në fuqi nuk e njeh procesin e referendumit në parti.

Statut i PD-së parashikon dhe dikton ndjekjen e një tjetër rruge, për të rrëzuar një vendim për përjashtimin e një anëtari nga partia, në rastin konkret të Sali Berishës.

Është Komisioni i Apelimit, Integritetit dhe Etikës organi përgjegjës në PD, i cili mund të rikthejë Berishën në PD dhe grupin parlamentar, duke rrëzuar vendimin e përjashtimit, ndonëse deri më sot nuk ka një vendim të firmosur nga Basha, por vetëm një komunikim verbal të tij, ku deklaroi distancimin nga Berisha.

Neni 54 i statutit të PD parashikon që Komisioni i Apelimit shqyrton ankesat nga anëtarët të PD kundër masave disiplinore të marra ndaj tyre.

Pra, ky Komision i veçantë, që funksionon si gjykata e partisë, mund të shqyrtojë ligjshmërinë e vendimit të Bashës për përjashtimit e Berishës, por vetëm nëse Berisha e kërkon dokumentin e përjashtimit dhe e bën ankim në Komision. Gjithashtu, vendimi i përjashtimit duhet të shqyrtohet fillimisht nga Kryesia e PD-së.

Komisioni i Apelimit, Integritetit dhe Etikës në PD kryesohet nga deputetja, Flutura Açka, e zgjedhur në këtë funksion disa javë më parë nga Këshilli Kombëtar i PD-së. Zonja Açka është propozuar nga Lulzim Basha në këtë funksion. Ky funksion më parë është drejtuar nga Halim Kosova.

Komisioni i Apelimit në PD përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët duhet të zgjidhen nga Këshilli Kombëtar. Por, prej vitesh, Këshilli ka zgjedhur vetëm kryetarin e këtij Komisioni, i cili deri më sot ka mbetur vetëm një organ në letër.

Nëse Berisha vendos të ndjekës rrugën e apelimit, siç edhe e parashikon statuti, Flutura Açka duhet të marrë në shqyrtim ankesën dhe të zhvillojë një proces, të ngjashëm me një shqyrtim gjyqësor./Shqiptarja.com