Projekti i dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner, i cili prej kohësh ka tërhequr vëmendjen e jo vetëm shqiptarëve, por dhe mediave ndërkombëtare për resortin turistik në Ishullin e Sazanit, tanimë ka marrë statusin e Investimit/investitorit strategjik.
Me një vendim të veçantë në ditët e fundit të dhjetorit, Komiteti i Investimeve Strategjike ka dhënë “dirtën jeshile” pas aplikimit të bërë nga kompania amerikane “Atlantic Incubation Partners”.
Në vendimin e Komiteti i Investimeve Strategjike thuhet se statusi është i kushtëzuar me realizimin e detyrave, planit të veprimit të parashikuar në këtë vendim, si dhe me finalizimin e marrëveshjes së bashkëpunimit midis palëve, të vlefshme miratuar me ligj të veçantë në Kuvend sipas parashikimeve ligjore të zbatueshme.
Ky status i është projektit të investimit “Resorti Turistik-Ishulli i Sazanit” për një periudhë 10-vjeçare, kohë e cila do t’i shërbejë projektit strategjik për për përfitimin e procedurave me prioritet dhe brenda afateve të përshpejtuara, në përputhje me legjislacionin për investimet strategjike, si dhe plotësimin e detyrave dhe planit të veprimit të parashikuar në këtë vendim.
Ndërkohë, marrëveshja që do të nënshkruhet, pas negocimit dhe finalizimit sipas parashikimeve ligjore, në fazat e mëtejshme të vlerësimit të projektit, do të parashikojë afatin e nevojshëm të realizimit të plotë të investimit, angazhimet dhe detyrimet e ndërsjellta mes palëve dhe masat e detajuara mbështetëse, që përfiton ky projekt, sipas legjislacionit në fuqi.
Në vendimin e publikuar evidentohet dhe forma e pjesëmarrjes së shtetit në këtë investim e cila do të realizohet nëpërmjet krijimit të një entiteti juridik të përbashkët të përbërë nga Korporata e Investimeve Shqiptare (AIC), Albanian Seaports Development Company sh.a (ASDC), në cilësinë e palës shtet, dhe subjektit investues Atlantic Incubation Partners LLC, shoqëri e të drejtës amerikane.
Komiteti i Investimeve Strategjike, me propozim të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA),vlerësoi se ky projekt është në përputhje të ligjit të shtetit shqiptar. Vlera e investimit të projektit turistik “Resorti Turistik – Ishulli i Sazanit” i plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë 1.4 miliardë euro dhe se përgjatë fazës së realizimit të investimit dhe operimit, numri i personave të punësuar parashikohet të jetë 1,000 persona.
Projekti i investimit synohet të zhvillohet në ishullin e Sazanit, Bashkia Vlorë, i cili ka një sipërfaqe totale prej 562 ha dhe me një sipërfaqe ndërtimi prej 45 ha dhe do të ndahet në Faza 1, Faza 2 dhe Faza 3, sipas masterplanit. Konkretisht parashikohet ndërtimi i strukturave akomoduese turistike të brandeve ndërkombëtare, njësive rezidenciale, zonave gastronomike brenda një sipërfaqeje prej 45 ha. Sipas vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike projekti i investimit synon gjithashtu në përmirësimin dhe riparimin e marinës aktuale duke përfshirë zgjerimin e hapësirës së dokimit, përmirësimin e vendndodhjes së molit të tragetit dhe ankorimin e trageteve të Ishullit të Sazanit.
Vendimi i miratimit te statusit investitori strategjik
Komiteti i Investimeve Strategjike, me propozim të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), VLERËSOI:
-Projekti i investimit është në përputhje me kriteret e parashikuara në nenin 8 të Ligjit Nr. 55/2015, i ndryshuar, dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 1023, datë 16.12.2015 “Për nënsektorët strategjikë dhe zonat me përparësi zhvillimi”;
-Procedura e vlerësimit të projektit bazohet në nenin 25 të Ligjit Nr.55/2015, i ndryshuar, në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 1026, datë 16.12.2015 “Për vlerësimin e dokumentacionit të investimeve strategjike” dhe në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 1030, datë 16.12.2015 “Për organizimin dhe formën e pjesëmarrjes së shtetit në investimet strategjike dhe rregullat për krijimin, funksionimin e administrimin e Fondit të Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e InvestimeveStrategjike (FPPMIS)”;
-Vlera e investimit të projektit turistik “Resorti Turistik – Ishulli i Sazanit” i plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë 1.4 miliardë Euro;
-Projekti i investimit i plotëson kriteret e punësimit të kërkuara nga legjislacioni për investimet strategjike. Përgjatë fazës së realizimit të investimit dhe operimit, numri i personave të punësuar parashikohet të jetë 1,000 (një mijë) persona;
-Projekti i investimit propozohet si një projekt i integruar me marinë turistike si dhe struktura akomoduese elitare, rezidenca me standard të lartë, zona gastronomike, zona rekreacionale me shërbime në funksion të tyre.
– Projekti i investimit synohet të zhvillohet në ishullin e Sazanit, Bashkia Vlorë, i cili ka një sipërfaqe totale prej 562 ha dhe me një sipërfaqe ndërtimi prej 45 ha sipas gjurmës në Aneksin 1 të këtij vendimi.
-Projekti i investimit do të ndahet në Faza 1, Faza 2 dhe Faza 3, sipas masterplanit bashkëlidhur këtij vendimi në Aneksin 2. Projekti përfshin ndërtimin e strukturave akomoduese turistike të brandeve ndërkombëtare, njësive rezidenciale, zonave gastronomike brenda një sipërfaqeje prej 45 ha.
-Projekti i investimit synon gjithashtu në përmirësimin dhe riparimin e marinës aktuale duke përfshirë zgjerimin e hapësirës së dokimit, përmirësimin e vendodhjes së molit të tragetit dhe ankorimin e trageteve të Ishullit të Sazanit, në Bashkinë Vlorë.
– Sipërfaqja ujore rreth ishullit bën pjesë pjesërisht në Parkun Kombëtar Detar “Karaburun-Sazan”, shpallur me VKM-në Nr. 59, datë 26.01.2022, i ndryshuar.
-Brenda sipërfaqes së ishullit të Sazanit ndodhen “Barriera koralore e grykës së Djallit” dhe “Faleza e Sazanit”, të shpallura monument natyre. Referuar VKM-së Nr.515 datë 18.7.2003 “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore të cilat kalojnë në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes”, i ndryshuar, rezulton se Ishulli i Sazanit është në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes.
– Referuar dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë Nr. 398, datë 02.12.2024, “Për miratimin e disa shtesave dhe ndryshimeve në planin e vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, miratuar me dekretin Nr. 8593, datë 17.06.2024, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë”, rezulton që struktura “Rajon stërvitje dhe qitje detare Sazan, Vlorë”, del jashtë Planit të Vendosjes dhe Përhapjes së Forcave të Armatosura sipas Aneksit 3.
– Duke qenë se ishulli i Sazanit është në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes, i cili ka qenë “Rajon stërvitje dhe qitje detare Sazan”, rezulton se në ishull nuk gjenden sipërfaqe të miratuara si stacione plazhi.
-Referuar gjendjes aktuale të ishullit, rezulton se brenda sipërfaqes së tij gjenden tunele
nëntokësore si dhe bunkerë të përmasave të ndryshme.
-Projekti i investimit propozohet të realizohet nga subjekti aplikues “Atlantic Incubation Partners” LLC, shoqëri e të drejtës amerikane me Nr. Identifikimi (EIN) 92-3329707.
-Projekti i investimit propozohet nga subjekti aplikues në formën e bashkëpjesëmarrjes shtetërore në investim në përputhje me VKM-në Nr.1030, datë 16.12.2015 “Për organizimin dhe formën e pjesëmarrjes së shtetit në investimet strategjike dhe rregullat për krijimin, funksionimin e administrimin e Fondit të Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike (FPPMIS)”;