Këtë të premte, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e zgjeruar të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri i vendit Edi Rama, pranoi se punonjës të administratës shtetërore dhe socialistë u ngritën në protestën kundër tij, që vijon prej rreth dy muajsh.
Kryeministri theksoi se ata që punonin në punë shteti, në darkë iu bashkoheshin qytetarëve të tjerë në bulevard.
Të lidhura
None found
Sipas tij, forca thithëse e protestës ishte më e fuqishme për ta sesa figura e tij.
Gjithashtu, kryeministri shtoi se administrata doli në protestë sepse “Shqipëria e re që ne kemi ndërtuar nuk jeton me hijen e së vjetrës, ku njerëzit flakeshin nga puna e shtetit pse shkonin në një takim tonin në opozitë”.
“Ndaj dua që tua them qe në fillim drejt e në sy atyre që protestuan ndaj kryetarit të bashkisë, atyre që dolën në bulevard gjatë qershorit dhe atyre që kanë protestuar me heshtje dhe zë, vetëm apo me të tjerë, kudo në Shqipëri apo jashtë, jo vetëm gjatë qershorit por qysh pas zgjedhjeve, ju nuk jeni mosmirënjohës, por matësi i ri i standardeve tona.
Ju atje në periferinë e një bashkie nuk protestuat kundër atyre që kryebashkiaku kishte bërë për ju, ju që mbushët bulevardit nuk protestuat kundër Shqipërisë që ndërtuam gjatë tre mandateve të para, dhe këtu ndaj jo pak ata votues, mbështetës e anëtarë të PS, por edhe ata që gjatë ditës ishin në punën e shtetit dhe në mbrëmje shkonin në bulevard, ata nuk dolën për të sulmuar qeverinë apo bashkuar këngës “Rama jepe dorëheqjen”.
Ata që votuan për ne në qershor, dolën dhe u bashkuan me të tjerët edhe kur protesta drejtohej kundër meje sepse forca e saj përthithëse ishte më imponuese për ta sesa figura ime. Ata të administratës dolën edhe ata me të tjerët sepse Shqipëria e re që ne kemi ndërtuar nuk jeton me hijen e së vjetrës, ku njerëzit flakeshin nga puna e shtetit pse shkonin në një takim tonin në opozitë”, u shpreh kryeministri.
