Kryeministri Edi Rama, bëri të ditur në podkastin “Flasim” se qeveria po shqyrton krijimin e një bashkëpunimi të qëndrueshëm mes institucioneve publike dhe komuniteteve të zonave turistike, me fokus ruajtjen e natyrës dhe mbrojtjen e territorit.
Ai shpjegoi se synimi është zbatimi i projekteve pilot me komunitetet që merren me turizëm. Sipas Ramës, këto komunitete do të organizohen në shoqata dhe do të marrin përsipër detyra konkrete për mbrojtjen e mjedisit, përfshirë raportimin e problematikave në terren, pastrimin e mbetjeve, parandalimin e ndërtimeve pa leje, evidentimin e prerjeve të paligjshme dhe ndërmarrjen e masave për uljen e rrezikut nga zjarret.
Të lidhura
None found
Duke iu referuar Lumit të Shalës si një brand, kreu i qeverisë theksoi se pasuritë natyrore përbëjnë një element të rëndësishëm të ofertës turistike. Ai paralajmëroi se dëmtimi i tyre mund të prekë drejtpërdrejt edhe veprimtarinë ekonomike të komuniteteve lokale.
“Kjo pasuri duhet të ruhet në çdo drejtim: nga mbrojtja e natyrës dhe garantimi i higjienës, te standardet e ndërtimeve dhe kujdesi për pyjet”.
Rama nënvizoi gjithashtu nevojën për një angazhim të përbashkët të shtetit, komuniteteve dhe operatorëve lokalë në territoret turistike, në mënyrë që burimet natyrore të ruhen dhe të menaxhohen me përgjegjësi.
