Një lojtar i kombëtares së Republikës së Irlandës ka shprehur hapur kundërshtinë e tij për zhvillimin e takimit të radhës kundër Izraelit në kuadër të Ligës së Kombeve.
Të lidhura
None found
Jason Knight, mesfushori i Bristol Cityt, e bëri të qartë pozicionin e tij pasi Irlanda pësoi humbje 1-0 ndaj Kosovës në kryeqytetin kosovar. Sipas tij, ndeshja ndaj Izraelit nuk duhet të luhet fare.
“Situata është e ndërlikuar. Trajneri, Dara dhe Nathan kanë folur në mënyrë të qartë për këtë çështje. Unë mendoj se ndeshja nuk duhet të zhvillohet, por ajo do të zhvillohet gjithsesi,” u shpreh Knight.
25-vjeçari shtoi se tema është diskutuar edhe në mesin e lojtarëve dhe se kombëtarja irlandeze do të zhvillojë një bisedë më të thellë për të arritur një qëndrim të përbashkët.
“Do të flasim më hollësisht për këtë dhe për atë që nënkupton. Do të ndajmë mendimet tona si grup dhe më pas do të marrim një vendim,” vijoi ai.
Kapiteni i përkohshëm Dara O’Shea kishte njoftuar më herët se lojtarët do të mblidheshin të premten për të diskutuar situatën dhe mënyrën se si do të veprojnë në lidhje me ndeshjen.
Takimi i parë midis Irlandës dhe Izraelit do të zhvillohet të dielën në Debrecen të Hungarisë, pa tifozë irlandezë të pranishëm. Ndeshja e kthimit është planifikuar për më 4 tetor në Backa Topola të Serbisë.
Ndërkaq, transmetuesi irlandez RTE ka vendosur që ta transmetojë ndeshjen pa komentatorë, pa ekspertë në studio dhe pa programin e zakonshëm gjatë pushimit.
