Rama i prerë me socialistët: Kini kujdes! PS nuk mbron askënd! (VIDEO)

Kryeministri Rama u ka dhënë një mesazh të prerë socialistëve mbrëmjen e sotme gjatë mbledhjes me deputetë “të rinj” e të “vjetër” në Pallatin e Brigadave.

Duke u nisur nga skandalet e fundit në instancat shtetërore ku individë të PS me pushtet janë përfshirë në afera korruptive, kryeministri deklaroi se këto njerëz nuk do të kenë asnjë lloj mbështetje, duke shtuar se sipas tij janë të “neveritshëm”.

“Kur dikush që e ka në ballë logon e PS-së ekspozohet për abuzime, faji është i tiji, por turpi për mos vendosjen e vijës së kuqe është i joni. Kjo skuadër nuk do të jetë kurrë as streha dhe as mburoja e askujt që me veprimet e veta cënon partinë…”-tha ndër të tjera Rama.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Duhet ta ngulitni mirë në kokë se ndërhyrjet për të mbajtur në punë individë të paaftë, apo makutër që kanë dorën në xhepin e qytetarëve, ndërhyrje për të sistemuar njerëz që nuk e meritojnë në punë, të përfaqësojnë partinë Socialiste apo për të ndikuar në procese tenderash e vendmimarrjesh me natyrë materiale janë armiqësore me qëllimet dhe dëshirën e atyre që na dhanë besimin për të drejtuar vendin. Janë të neveritshme. Duhet të jetë e qartë për të gjithë këtë familje politike.

Kur dikush që e ka në ballë logon e PS-së ekspozohet për abuzime, faji është i tiji, por turpi për mos vendosjen e vijës së kuqe është i joni.

Kjo skuadër nuk do të jetë kurrë as streha dhe as mburoja e askujt që me veprimet e veta cënon partinë. Nuk mban përgjgjësi se një individ shkel mbi vlera e parime, por mban përgjegjësi për mënyrën se si reagon. /albeu.com/