Qarkullonte lart e poshtë me drogën në bagazh, kapet i riu në Lezhë

Një 27-vjeçar banues në Shkodër, është arrestuar pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, iu gjet një sasi prej 1 kg lëndë narkotike e llojit kanabis.

Arrestimi i 27-vjeçarit, i identifikuar si Hidisen Dervishi,  u bë pas informacioneve të ardhura në rrugë operative se në automjetin me të cilin po udhëtonte ndodhej dhe sasia e drogës.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i plotë i policisë: 

DVP Lezhë

Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Evidentohet dhe goditet një tjetër rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.

Sekuestrohet lëndë narkotike cannabis sativa, bie në pranga 27- vjeçari, poseduesi i lëndës narkotike.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas që po qarkullonte me mjet në aksin rrugor Fushë Krujë – Shkodër, dyshohej se po transportonte lëndë narkotike, shërbimet e Policisë së DVP Lezhë organizuan punën dhe në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Shëngjinit” kanë identifikuar mjetin e dyshuar dhe kanë bërë të mundur ndalimin e tij.

Gjatë kontrollit të automjetit tip “Benz” me drejtues shtetasin H. D., në bagazh është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit H. D., 27 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 16.05.2021 11:17