Publikohet vendimi: Shteti mbulon shpenzimet për kurimin e zv. Ministres së Shëndetësisë, Mira Rakacolli

Qeveria ka vendosur të mbulojë shpenzimet e mjekimit për zv/ministren e Shëndetësisë Mira Rakacolli – Kapisyzi me një fond prej 3 milionë lekësh.

Vendimi u publikua në Fletoren Zyrtare të 25 korrikut 2023.

VENDIM
Nr. 441, datë 19.7.2023

PËR MBULIMIN E SHPENZIMEVE TË MJEKIMIT TË ZNJ. MIRA KAPISYZI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr. 84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, si dhe të vendimit nr. 23, datë 18.1.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2023”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:
1. Mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të znj. Mira Kapisyzi, në masën 3 000 000 (tre milionë) lekë.
2. Ky fond përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
3. Pagesa bëhet me paraqitjen e faturave përkatëse të institucionit të kurimit.
4. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet
në Fletoren Zyrtare.

/albeu.com/


Shtuar 26.07.2023 11:53