Pse depërtimi i Rusisë në shërbimet sekrete ukrainase është tronditës

Detajet e reja nxjerrin në pah se depërtimi i Rusisë në shërbimet sekrete ukrainase është tronditës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka pezulluar kreun e Shërbimit Sekret dhe Prokuroren e Përgjithshme, duke theksuar rastet e shumta të tradhtisë brenda dy organizatave të fuqishme. Ai tha se më shumë se 60 ish-punonjës të këtyre institucioneve tani po punojnë kundër Ukrainës. Zyrtarët e shkarkuar Ivan Bakanov dhe Iryna Venediktova nuk kanë reaguar

Nuk do të jetë befasi për shumë njerëz në Ukrainë që Moska po tenton që të depërtojë në shërbimet e tyre të sigurisë dhe në zyrën e prokurorit.

FSB e Rusisë ka një histori të gjatë përpjekjesh për të punuar nga brenda. Në të vërtetë, të gjitha agjencitë e inteligjencës e bëjnë këtë. Kështu funksionojnë.

Ajo që mund të jetë tronditëse është shkalla në të cilën ata ia kanë dalë, duke minuar në dukje mbrojtjen e Ukrainës në një moment vendimtar.

Qyteti i rëndësishëm strategjik i Khersonit ra brenda pak ditësh, me urat që kishin mbetur në këmbë, edhe pse në fakt duhej të ishin hedhur në erë.

Ekziston frika se veprimet tinëzare të një numri çuditërisht të madh zyrtarësh dhe oficerësh ukrainas kanë ndihmuar ofensivën e Rusisë dhe e kanë lënë të ekspozuar Ukrainën.

Nuk sugjerohet se as Ivan Bakanov dhe as Iryna Venediktova e kanë tradhtuar vendin e tyre, por se ata drejtonin organizata ku të tjerët e bënin këtë gjë. Për këtë, ata të dy janë pezulluar nga detyrat e tyre.

Vlen gjithashtu të kujtohet se problemi i infiltrimit të shërbimit të sigurisë nuk është unik për Ukrainën.

Në të vërtetë, menjëherë pas fillimit të luftës thuhet se kishte një spastrim të oficerëve të FSB-së ruse, të dyshuar se punonin për Ukrainën ose të paktën ishin dashamirës për kauzën e tyre.

Nuk ka shërbim sekret në tokë që të mos ketë probleme me agjentët e huaj. Por shkalla e dukshme e kësaj do të jetë vërtet shqetësuese për ukrainasit, veçanërisht në një kohë kur pritshmëritë nuk mund të ishin më të larta.