PS pengoi SPAK për arrestimin e Ballukut/ Rama në Samitin e Diasporës: Pandëshkueshmëria ka marrë fund, drejtësia është e pavarur

Ditën e sotme, kryeministri Edi Rama, theksoi në Samitin e Diasporës se pandëshkueshmëria ka marrë fund, që kur PS, sipas tij, i dha sistemit të drejtësisë shpatën që i duhet për të vepruar.

Në fjalën e tij, kryeministri theksoi se pandëshkueshmëria tashmë është vetëm një mit, ndërsa shtoi se tani ka marrë fund koha kur ligji vepronte vetëm për të dobëtin ndërsa i forti e sfidonte atë.

Të lidhura

None found

Ai tha se drejtësia nuk ka qenë më e pavarur se kurrë, megjithëse ishte PS ajo që disa javë më parë, me votat e deputetëve të saj në Kuvend, refuzoi kërkesën e drejtësisë për t’i hequr imunitetin e deputetes Belinda Ballukut për t’i hapur rrugën arrestimit të saj.

“Atëherë kur ne u mblodhëm për herë të parë, Shqipëria njihej botërisht dhe ishte e damkosur nga BE si atdheu i pandëshkueshmërisë, ku ligji vepronte vetëm ndaj të dobtëve dhe ku çdo i fortë sfidonte ligjin. Sot pandëshkueshmëria është mit i së kaluarës dhe sot Shqipëria është vendi ku askush nuk është mbi ligjin dhe drejtësia është pavarur siç nuk ka qenë që në krye të herës, nga 1912 deri kur ne, me vullnet të plotë, i dorëzuam asaj shpatën që i takon vetëm duarve të saj për të bërë drejtësi të barabartë për të gjithë.

Atëherë Shqipërisë i ngelej rregullimit dera e negociatave, sot i kemi çelur të gjithë kapitujt dhe e kemi bërë këtë me një kohë rekord për vetëm 11 muaj sepse njësoj si ju, kur iu mbyllej dera në fytyrë në ato hapat e parë në rrugët e botës dhe kur askush nuk kishte kohë, respekt e besim dhe as vëmendje për t’ju dëgjuar e kuptuar se sa vlenit, por këmbëngulnit dhe pasi shkonit në darkë dhe fshinit lotët nga poshtërimi i ditës riktheheshit në mëngjesit për të këmbëngulur në pritje duke qenë gati për derën kur të hapej dhe Shqipëria këmbënguli dhe ishte gati kur dera u hap”, tha Rama.


Shtuar 14.04.2026 10:54