Edhe pse mbrëmjen e sotme kryeqyteti është përfshirë nga reshje shiu, protestuesit nuk janë tërhequr nga aksioni i tyre qytetar dhe kanë vazhduar marshimin në rrugët e Tiranës, në kuadër të protestës së 25-të kundër qeverisë.
Me çadra dhe mjete të tjera mbrojtëse ndaj shiut, qytetarët u nisën në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit. Gjatë marshimit, ata artikuluan thirrje kundër qeverisë dhe ritheksuan kërkesat që kanë paraqitur prej javësh në tubimet e mbajtura në Tiranë.
Të lidhura
None found
Pjesëmarrja e qytetarëve nuk u zbeh nga shiu i pandërprerë, ndërsa ata vijuan lëvizjen sipas itinerarit të përcaktuar nga organizatorët. Në disa raste, protestuesit u ndalën për të mbajtur fjalime dhe për të përcjellë mesazhet e tyre ndaj institucioneve shtetërore.
Sipas pjesëmarrësve, dalja e tyre në protestë pavarësisht motit të keq tregon vendosmërinë për ta vazhduar aksionin qytetar. Ata shprehën bindjen se reshjet e shiut nuk e zbehin pakënaqësinë qytetare dhe nuk mund të ndalin protestat që po zhvillohen prej disa javësh.
