Pritej prej 2 muajsh pasi DEA amerikane kishte dhënë sinjal, si u kap sasia rekord e kokainës në Kosovë

Sot në Kosovë janë kapur 400 kg kokainë të mbërritura nga Amerika Latine. Kapja e kokainës erdhi pas një operacioni të kryer në koordinim me DEA-n amerikane, të cilët kishin dhënë informacion që në origjinë për ngarkesën në fjalë duke i vendosur GPS për të parë se ku do të shkonte.

Në operacion, krahas DEA-s dhe polcisë së Kosovës, është përfshirë gjithashtu policia shqiptare dhe ajo e Italisë.

Operacioni

Autoritetet kishin dy muaj që prisnin këtë ngarkesë pasi u sinjalizuan nga DEA amerikane. Me të mbërritur konteineri në Durrës, policia shqiptare ka konstatuar drogën, por nuk ka ndërhyrë duke e lejuar që të kryeshin procedurat për të zbuluar se cili do të ishte destinacioni final i tij.

Pasi kanë kryer procedurat, autoritetet e kanë ndjekur kamionin me konteinerin sipër, i cili është nisur për në Kosovë. Në këtë moment është njoftuar edhe policia e Kosovës, e cila ka ndërhyrë duke bërë edhe sekuestrimin e kokainës.

Dy ngarkesa të tjera

Gjatë periudhës së pritjes së sasisë rekord të kokainës, në portin e Durrësit kanë hyrë dhe ngarkesa të tjera në sasi më të vogla, të cilat janë sekuestruar nga policia.

Sasitë e bllokuara janë 142 kilogram kokainë në datën 10 prill dhe 49 kilogram të tjera u kapën më datë 1 prill. /albeu.com


Shtuar 17.05.2021 13:22