Interi “pastron” krahun e majtë, Young e Perisiç me valixhet gati

Paralelisht me festimet për titullin kampion, Interi po punon edhe për të përforcuar skuadrën për sezonin e ri dhe krahu i majtë i mesfushës është ai që pritet të pësojë një revolucion të plotë.

Kjo pasi Ashley Young do të largohet në fund të sezonit, kur i përfundon edhe oferta, ndërsa Ivan Perisic është në listën e atyre që mund të shiten kundrejt një oferte prej 5-10 milionë eurosh, pasi ka edhe një pagë që peshon jo pak në arkat e klubit.

Për të zëvendësuar të dy anësorët e majtë, emri i parë në listën e drejtuesve është ai i Federico Dimarcos, i rritur në akademinë zikaltër dhe që po bën një sezon shumë të mirë nën urdhrat e Juric te Verona.

Anësori njeh mirë ambientin zikaltër dhe për më tepër mund të jetë shumë i vlefshëm në listën e federimeve në Champions, ndërsa Conte vlerëson jo pak faktin që Dimarco ka treguar se mund të luajë si në 5-shen e mesfushës, ashtu edhe në treshen e prapavijës.

Emra të tjera janë dy anësorët e Chelsea-t, Marcos Alonso dhe Emerson Palmeiri, me italianin që duket se ka valixhet gati për t’u larguar nga Roma dhe rikthyer në Itali, aty ku Conte e mirëpret krahëhapur për t’i besuar korsinë e majtë.

Megjithatë së fundi po merr gjithmonë e më shumë përparësi emri i anësorit 28-vjeçar serb, Filip Kostic, i cili po shkëlqen me fanellën e Eintrachtit të Frankfurtit, ku ka shënuar 26 gola dhe ka dhënë 46 asiste në tre sezonet e fundit.

Për momentin janë bërë vetëm sondazhe për serbin, që do të mirëpriste një transferim në Serinë A, megjithatë shumë do të varet edhe nga pretendimet e klubit gjerman, që synojnë të arkëtojnë rreth 20 milionë euro nga kartoni i tij.

Shtuar 17.05.2021 01:05