Rregullorja e re e botuar në Fletoren Zyrtare shton kompetencat e Policisë së Shtetit dhe detajon me thollësi mënyrën e ushtrimit të veprimtarisë, si dhe risitë e pranimit të donacioneve dhe lejimin e mësimdhënies. Efektivët duhet të identifikohen te qytetarët dhe t’i informojnë paraprakisht për arsyen e ndalimit, duke i kërkuar fillimisht zbatimin vullnetar të urdhrit të ndalimit dhe zbrazjen e mjeteve të rrezikshme.
Mënyrat e zbatimit të ndalimit të përkohshëm policor përfshijnë shoqërimin në këmbë, nga vendi ku ndalohet personi deri në strukturën përkatëse policore; ose me automjetin e shërbimit policor apo mjete të tjera, që merren apo vihen në dispozicion të Policisë. Në raste të veçanta, kur verifikimi i identitetit të personit nuk është i mundur, struktura përkatëse policore bën publike pamje, regjistrime ose përshkrime të personit, për të mundësuar identifikimin e tij, duke i shfaqur në mediat e shkruara dhe në ato audiovizive vendore ose kombëtare për aq kohë sa është e nevojshme.
Rregullorja përcakton gjithashtu veprimtaritë e lejueshme private për punonjësit e Policisë, që mund të kryhen jashtë detyrës e që nuk përbëjnë konflikt interesi dhe që nuk lidhen drejtpërdrejt më veprimtarinë policore. Llojet e veprimtarive private mund të jenë nga në mësimdhënia deri te kurset profesionale, palestrat sportive, menaxhimi i bizneseve, konsulencë në fusha të teknologjisë, menaxhimit të projekteve jashtë veprimtarisë policore; investime në pasuri të paluajtshme, veprimtari imobiliare, dhënie me qira shitje dhe blerje të pronave. Në asnjë rast, ushtrimi i veprimtarive private apo dytësore nuk duhet të ndikojë në ushtrimin e detyrave, kohën e punës dhe veprimtarinë policore.