Po luante me shkrepëse dhe çakmak, 10-vjeçari i vë flakën banesës në Berat

Një banesë në lagjen “Dëshmorët e Kombit” në Berat është përfshirë nga flakët. Ka qenë fëmija e familjes, vetëm 10-vjeç, që duke luajtur me shkrepëse e çakmak dhe i ka vënë flakën pa dashje lodrave të tij dhe janë larguar me vrap nga frika.

Zjarri ka përparuar me shpejtësi në të gjithë ballkonin në katin e dytë të pallatit, duke shkrumbuar tërësisht orenditë dhe pajisjet elektroshtëpiake që ndodheshin në ballkonin e përshtatur nga familja në dhomë gatimi.

Flakët e zjarrit që ishin duke përparuar edhe brenda banesës por edhe duke rrezikuar katet e sipërme të pallatit janë parë nga gjyshi i fëmijës 10-vjeçar,që ka njoftuar menjëherë zjarrfikësen.

Ka qenë ndërhyrja në kohë e Repartit Zjarrfikës që ka bërë të mundur lokalizimin e shpejtë të flakëve dhe shuarjen e zjarrit që rrezikonte edhe hyrjet e sipërme të pallatit.

Në momentin e rënies së zjarrit në banesë ndodhej vetëm djali 10-vjeçar me gjyshin, të cilët kanë dalë jashtë pa lëndime dhe të tmerruar, ndërkohë që flakët përhapeshin me shpejtësi.

Burime të zjarrfikësve në vendngjarje kanë deklaruar se shkak i zjarrit ishte pakujdesia e djalit që ishte duke luajtur me shkrepëse në ballkon.

Zjarri i rënë ka shkaktuar dëme të mëdha materiale në ballonin dhe një nga dhomat e banesës, ndërkohë që tymi dhe era e keqe është përhapur në të gjithë pallatin.


Shtuar 19.11.2021 17:17

Tags: ,