Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Velislava Petrova-Çamova, tha se shpreson të dëgjojë nga pala maqedonase gatishmëri për përparim gjatë takimit të sotëm me homologun e saj, Timço Mucunski, në Sofje.
Të lidhura
None found
Bisedimet do të zhvillohen në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare Ministrore për zhvillimin dhe rëndësinë strategjike të Korridorit Pan-Evropian 8. Sipas Petrova-Çamovës, takimin e kërkoi pala maqedonase, ndërsa ajo pret që një nga çështjet kryesore të jetë integrimi evropian i Maqedonisë.
“Kërkesa për takim erdhi prej tyre dhe, sigurisht, e pranova. Do të doja të dija se cilat tema kanë ndërmend të trajtojnë. Mendoj se do të flitet për integrimin evropian. Qëndrimi ynë për këtë është shumë i qartë. Shpresoj të dëgjoj prej tyre një dëshirë për të ecur përpara”, u shpreh ajo, njofton AIM.
Ndërkohë, në Sofje ka nisur Konferenca Ministrore për Korridorin 8, ku merr pjesë edhe Mucunski.
Ministri maqedonas do të jetë pjesë e panelit “Konteksti Gjeostrategjik i Korridorit 8”, i cili trajton rëndësinë strategjike të këtij korridori në rrethanat e tanishme gjeopolitike, të sigurisë dhe ekonomike./Telegrafi/





