BDI-ja e ka cilësuar vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese si precedent me pasoja të rrezikshme për gjuhën shqipe dhe sigurinë juridike në vend.
Të lidhura
None found
Sipas partisë, në vend që të shqyrtonte publikimin e rregullores vetëm në gjuhën maqedonase në raport me detyrimet ligjore dhe kushtetuese për botimin e akteve edhe në shqip, Gjykata u përqendrua te përmbajtja e aktit.
BDI-ja thekson se kushtetutshmëria nuk lidhet vetëm me përmbajtjen, por edhe me procedurën dhe formën, si dhe me zbatimin e rregullave kushtetuese që përcaktojnë mënyrën e hartimit dhe hyrjes në fuqi të akteve.
Partia thotë se Gjykata Kushtetuese më herët ka shqyrtuar çështje të ngjashme, ndërsa me vendimin e djeshëm, sipas saj, veproi në kundërshtim me praktikën e vet dhe shkeli normat.
“Nëse botimi i një akti në kundërshtim me kërkesat kushtetuese dhe ligjore nuk mund të trajtohet më si çështje e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë formale, çfarë vlere kanë rregullat kushtetuese për procedurën dhe publikimin e akteve?”, pyet BDI-ja.
Sipas partisë, kjo çështje shkon përtej një rregulloreje dhe lidhet me gjuhën shqipe, rendin juridik dhe sigurinë juridike të çdo qytetari.
BDI-ja ngre shqetësimin se, nëse publikimi i një akti vetëm në maqedonisht nuk ka rëndësi për kontrollin kushtetues, i njëjti standard mund të zbatohet në të ardhmen edhe për akte të tjera.
“Gjuha shqipe nuk është dekor kushtetues, por pjesë e rendit kushtetues. Ajo që ndodhi dje nuk duhet të normalizohet apo relativizohet”, thuhet në reagim.
Partia shton se debati nuk ka të bëjë vetëm me një rregullore, por me faktin nëse Kushtetuta, ligji dhe siguria juridike zbatohen njësoj për të gjithë. “Për këtë arsye, kjo çështje nuk përfundon me vendimin e djeshëm”, deklaron BDI-ja.







