Miniera e Trepçës po i rikthehet funksionimit normal pas incidentit të mbrëmshëm, kur 63 minatorë mbetën të bllokuar brenda saj për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike.
Të lidhura
None found
Kryesindikalisti i minatorëve, Ibrahim Jonuzi, njoftoi se prodhimi ka rifilluar dhe se kushtet për vijimin e punës janë krijuar. Ai bëri të ditur gjithashtu se janë vënë në funksion pompat që shërbejnë për largimin e ujit të mbledhur gjatë periudhës pa energji.
“Miniera është normalizuar, prodhimi është rikthyer dhe sistemi i pompimit është kyçur. Janë krijuar kushtet për punë dhe besojmë se, me përkrahjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, KEK-ut dhe KOSTT-it, do ta përmirësojmë gjendjen dhe do ta rikthejmë gjithçka në normalitet. Po bëhen përpjekje maksimale”, deklaroi Jonuzi.
Ai shpjegoi se gjatë ndërprerjes së rrymës në minierë ishte grumbulluar ujë, pasi pompat nuk kishin mundur të punonin.
Sipas Jonuzit, minatorët qëndruan rreth tetë orë pa energji elektrike. Ai tha se pompat zakonisht largojnë nga 4 deri në 4.5 metra kub ujë në minutë, ndërsa një derë sigurie mbyllet gjatë ndërprerjes së rrymës për të penguar përhapjen e ujit. Si pasojë, uji u akumulua pas saj.
Pompat u aktivizuan rreth orës 03:10 dhe kanë nisur tashmë procesin e zbrazjes së ujit nga miniera.
“Rreth orës 3:10 i kemi kyçur pompat dhe besoj se shumë shpejt do ta largojmë ujin. Dera 12 është hapur, ndërsa horizontet 10, 9 dhe 8 janë aktive. Besoj që nesër do të hapet dera edhe në horizontin 11 dhe puna do të rifillojë edhe atje”, tha Jonuzi.
63 minatorët që kishin mbetur brenda pas ndërprerjes së energjisë dolën gjatë mbrëmjes së kaluar. Aktualisht, përparësi mbetet rikthimi i plotë i funksionimit të minierës, largimi i ujit të grumbulluar dhe vijimi i prodhimit.







