LSDM: Qeveria po rishikon sërish buxhetin pasi mungojnë fondet për paga e pensione

LSDM-ja akuzon se ribalancimi i ri i buxhetit, i ndërmarrë vetëm dy muaj pas atij të mëparshëm, tregon gjendjen e rëndë të arkës shtetërore dhe dështimin e politikave ekonomike të Mickoskit.

Të lidhura

None found

Sipas kësaj partie, hendeku buxhetor ka arritur në 900 milionë euro, ndërsa Qeveria nuk disponon mjete të mjaftueshme për të përmbushur pagesat për paga, pensione dhe detyrime të tjera aktuale. Për pasojë, qytetarët pritet të përballen me borxhe të reja.

LSDM-ja thotë se Qeveria ka siguruar tashmë hua të reja në vlerën prej 250 milionë eurosh, të destinuara për nevojat buxhetore deri në fund të vitit. Sipas saj, këto mjete nuk do të përdoren për shlyerjen e kredive të vjetra apo për investime zhvillimore, por për mbulimin e deficitit në thesarin e shtetit.

“Ky është rezultati i politikave ekonomike të Mickoskit: një buxhet i mbështetur te kreditë, ndërsa qytetarëve u tregohen histori për suksese ekonomike”, deklarojnë nga LSDM.

Partia opozitare vlerëson se edhe pretendimet e Mickoskit për “ekonominë e tretë në Evropë” janë rrëzuar.

LSDM-ja thekson se deficiti buxhetor është 900 milionë euro, ndërsa mungesa në PIOM ka arritur në një miliard euro. Në vend të krijimit të të ardhurave të qëndrueshme dhe menaxhimit të kujdesshëm të shpenzimeve, sipas saj, Qeveria po shton borxhet për të mbuluar detyrimet bazë.

Me huamarrjen e fundit, borxhi publik arrin në 11 miliardë euro. Bashkë me detyrimet ndaj SHPP-së dhe ndërmarrjeve të tjera publike, ai tejkalon 63% të BPV-së.

“Kjo është skllavëri ndaj borxhit. Mickoski e ka rritur borxhin me 4 miliardë euro vetëm brenda dy vitesh, që përbën gjysmën e borxhit të përgjithshëm shtetëror të akumuluar gjatë 30 viteve të fundit”, thuhet në reagimin e LSDM-së./Telegrafi/


Shtuar më 8.10.2026 10:01

Tags: