Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar, mbrëmjen e sotme kryedemokrati Sali Berisha ka mbledhur Kryesinë dhe sekretariatet e Partisë Demokratike.
Në fjalën e mbajtur nga mbledhja e kryesisë pasditen e kësaj të mërkure, ku siç u njoftua do të merrej një vendim lidhur me arrestimin e shefes së SHISH-it, lideri demokrat Sali Berisha theksoi për simpatizanët e tij se është momenti që ai dhe demokratët të luftojnë me të gjitha mjetet demokratike për largimin e Ramës.
Të lidhura
None found
“Sot lipset që PD të ndërmarrë gjithë përpjekjet e saj për largimin e Ramës dhe regjimit të tij. Për përmbysjen e këtij regjimi. Koha fton sot çdo demokrat dhe demokrate, të gjithë mbështetësit tanë, të ngrihen në këmbë dhe me të gjitha mjetet demokratike të përballen me këtë regjim.”, tha sot Berisha.
Më tej, kreu i PD-së rrëzoi idenë e bojkotimi të punimeve në Kuvend duke shtuar se ky veprim do të përbënte avantazh për kryeministrin Edi Rama. Ndërsa shtoi se grupi parlamentar i PD-së do i japë përgjigje të forta në Kuvend.
“Vendimi më i lehtë do të ishte bojkoti i parlamentit, por unë kam qenë dhe mbetem i bindur se ky do të ishte avantazh për Edi Ramën, do të përbënte avantazh për Ramën.
Çdo njeri nga ne ta ketë të qartë se ai lufton për ekzistencën e tij, pasi e di që s’ka vend tjetër veçse në qeli me dhjetëra vite burg për krimet që ka kryer. Ai është i aftë për gjithçka për të ruajtur pushtetin dhe karrierën e tij.
Grupi parlamentar do të përshtatet për t’i dhënë përgjigjen e merituar. Ne në parlament jemi në kushte të vështira, por ne duhet t’i japim përgjigjet më të forta në parlament.”, shtoi më tej Berisha në fjalën e mbajtur nga kryesia.
Gjatë fjalës së tij Berisha po ashtu akuzoi se Hyseni ka vendosur në dispozicion të grupeve dhe organizatave kriminale, por edhe të armiqve të NATO-s, të dhëna me rëndësi të siguruara nga Shërbimi Informativ Shtetëror.
“Grupi mafioz i AKSHI-t është grupi mafioz më i rrezikshëm në Evropë sepse ai vendosi me urdhër të Edi Ramës, në kontroll të plotë dhe total, internetin dhe komunikimin me internet për shqiptarët dhe të huajt në territorin e Republikës së Shqipërisë. Një akt i pashembullt. Vendosi të gjitha këto të dhëna në dispozicion të grupeve dhe organizatave kriminale, por edhe të armiqve të NATO-s, armiqve të Shqipërisë dhe armiqve të partnerëve tanë”, shtoi Berisha.
Në përmbyllje të fjalës së tij, lideri demokrat shtoi më tej se Vlora Hyseni, është një anëtare e krimit të organizuar.
“Njeriu, që përfaqësonte Shqipërinë në partneritetin më të rëndësishëm, më delikat, më serioz, partneritetin me shërbimet e vendeve mike, rezulton se ishte një anëtare e grupeve më të rrezikshme mafioze kriminale. Rezulton se ajo ishte e padenjë për asnjë lloj besimi”, përfundoi Berisha.
Nga ana tjetër, qytetarët janë bërë sërish bashkë në ditën e 116-të të protestës, ku ashtu si prej më shumë se tre muajsh kërkojnë me këmbëngulje ndryshim rrënjësor të klasës politike, përfshirë këtu demokratë e socialistë.
Me thirrjet e zakonshme, të cilat kanë “buçitur” Tiranën prej më shumë se 3 muajsh “Rama burg, Berisha burg!” qytetarët kërkojnë revolucion.
“Kërkojmë revolucion. Jemi kundër këtij sistemi, na kanë zhgënjyer” shprehen qytetarët në fjalimet e tyre të mbajtura sot para Kryeministrisë.
