Një dokumentar investigativ që pritet të trajtojë dyshime serioze për korrupsion dhe përdorimin e fondeve publike në Shqipëri është duke u përgatitur nga regjisori dhe producenti Frederik Füssel.
Në qendër të investigimit ndodhet dëshmia e një sinjalizuesi shqiptar, identiteti i të cilit për momentin mbahet i fshehtë, ndërsa pretendohet se ai ka dorëzuar një sasi të konsiderueshme dokumentesh dhe materialesh që mund të hedhin dritë mbi mënyrën e përfitimit të fondeve publike dhe rolin e zyrtarëve të lartë shtetërorë.
Të lidhura
None found
Ndryshe nga publikimi i skandaleve të tjera të bazuara kryesisht në përgjime, dokumentari pritet të zbulojë jo vetëm skemat korruptive, por edhe se ku kanë shkuar paratë e aferave, deri llogaritë bankare të politikanëve të përfshirë.
Lajmi është bërë publik nga gazetarja investigative Lindita Çela, e cila ka njoftuar se materiali i siguruar nga dëshmitari po i nënshtrohet aktualisht një procesi verifikimi të pavarur nga ekipi investigativ.
“Gjurmët e parave” në fokus të dokumentarit
Sipas Çelës, dëshmitari pretendon se disponon prova që implikojnë zyrtarë të lartë të qeverisë në raste të dyshuara korrupsioni, të lidhura me fonde publike të përdorura për projekte të ndryshme në Shqipëri.
“Gjurmët e parave dhe dyshimet për korrupsion në qeveri”, shkruan Çela në njoftimin e saj, duke bërë të ditur se dokumentari do të mbështetet në dëshminë dhe dokumentacionin e siguruar nga sinjalizuesim, transmeton Albeu.com.
Sipas saj, bëhet fjalë për një numër të konsiderueshëm dokumentesh dhe provash të pretenduara, të cilat janë ende në fazën e shqyrtimit dhe verifikimit.
Pikërisht ky proces pritet të përcaktojë nëse materialet e dorëzuara mbështesin pretendimet e ngritura dhe nëse ato mund të lidhen me raste konkrete, projekte apo persona të caktuar.
Identiteti i dëshmitarit mbahet sekret
Për shkak të natyrës sensitive të çështjes, identiteti dhe fytyra e dëshmitarit nuk do të publikohen në këtë fazë.
Sipas informacionit të bërë publik, fragmenti i shpërndarë deri tani përbën vetëm një pjesë të vogël të një investigimi më të gjerë.
Dokumentari pritet të sjellë në vijim detaje të reja mbi dokumentet, transaksionet dhe projektet që janë objekt i investigimit, si edhe mbi personat që mund të përmenden në materialet e siguruara nga sinjalizuesi.
Megjithatë, në këtë fazë, pretendimet nuk janë provuar në mënyrë të pavarur dhe nuk mund të konsiderohen si përfundime mbi përgjegjësi penale apo administrative.
Nëse dokumentet e paralajmëruara do të konfirmohen nga procesi i verifikimit, investigimi mund të hapë një kapitull të ri në raportimin mbi përdorimin e fondeve publike dhe dyshimet për korrupsion në nivelet e larta të administratës shqiptare. /albeu.com/
Transkripti:
Gazetari: Pra çfarë ka në këtë USB?
Dëshmitari: Të gjitha të dhënat, të gjitha pagesat…
Gazetari: Pra, nëpërmjet kësaj USB mund të shkosh tek të gjitha…? Dëshmitari: Të gjithë njerëzit që unë po akuzoj sot.
Gazetari: Pra këtu ke emrat?
Dëshmitari: Ke emra, shumën e parave, ke të dhëna, ke dhe arsyet se pse janë paguar këto para tek ata…
