Meteorologu Hakil Osmani, në një lidhje live për Euronews Albania, dha detaje mbi kushtet atmosferike që priten këtë fundjavë si edhe gjatë javës së ardhshme.
Sipas tij, dita e sotme karakterizohet nga mot i qëndrueshëm dhe intervale të gjata me diell në të gjithë vendin, me kthjellimet më të theksuara përgjatë vijës bregdetare.
Të lidhura
None found
Për temperaturat, ai theksoi se vlerat më të larta sot pritet të regjistrohen pranë 36°C në qarkun e Elbasanit dhe Beratit. Deri në 35°C priten maksimumet në Tiranë, Shkodër dhe Gjirokastër, ndërsa në bregdet gjatë mesditës temperaturat do të lëvizin nga 31 deri shumë pranë 34°C.
Zona më e freskët e territorit shqiptar mbetet juglindja, ku temperaturat do të variojnë nga 28 deri në 30°C. Osmani sqaroi se kjo fundjavë sjell temperatura më të pranueshme, pasi ndonëse sot maksimumi arrin 36°C, të dielën pritet një ulje e lehtë dhe temperaturat maksimale në rang territori do të jenë rreth 34 apo 35°C.
I pyetur nga gazetarja Alba Xhani për ecurinë e motit gjatë javës tjetër, Osmani u shpreh se java që vjen do të dominohet nga kushte të qëndrueshme atmosferike, të shoqëruara me kalime të lehta vranësirash.
Ai bëri të ditur se e hëna do të nisë me mot të qëndrueshëm, intervale të gjata kthjellimesh dhe vranësira të pakta, situatë që do të vijojë deri në mesditë. Më pas, në pjesën e dytë të ditës, parashikohet shtim i vranësirave në gjysmën lindore të territorit, duke përfshirë zonat verilindore, juglindore dhe pjesërisht qendrën.
Sipas tij, lagështira e lartë në orët e pasdites do të krijojë mundësi për rrebeshe të izoluara shiu, të cilat pritet të jenë më të dukshme në veri dhe verilindje, konkretisht në qarkun e Bajram Currit, Pukës dhe Kukësit, ku reshjet do të jenë disi më prezente.
Edhe dita e martë, tha Osmani, do të nisë me intervale të gjata me diell gjatë orëve të mëngjesit, por më pas, në pjesën e dytë të ditës, priten vranësira dhe reshje të pakta shiu. Këto reshje do të jenë kryesisht lokale dhe më të dukshme në zonat jugore dhe juglindore, ndërsa pjesa tjetër e vendit, sidomos vija bregdetare, do të mbetet e mbrojtur gjatë gjithë 24-orëshit.
Përsa i përket temperaturave të ajrit, të paktën deri të mërkurën maksimumet në rang territori do të luhaten rreth 34-35°C në qytetet e zonës së ulët.
Pas të mërkurës, sipas meteorologut, temperaturat do të nisin sërish rritjen. E enjtja dhe e premtja pritet të sjellin maksimume mbi 36°C në të gjithë territorin.
Ai shtoi se rritje do të ketë edhe në temperaturat minimale të mëngjesit. Në qytetet e zonave malore, gjatë mesjavës minimumet do të ngjiten në 14-15°C, ndërsa në pjesën e dytë të javës do të regjistrohen rreth 17°C. Ndërkohë, në ultësirën perëndimore, orët e para të mëngjesit në pjesën e dytë të javës do të sjellin minimale nga 19 e shumë pranë vlerave 26°C, duke bërë që temperaturat e larta të ndihen sërish në vendin tonë.
