Osmani në CNN: NATO-n nuk e shohim vetëm si makineri ushtarake

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Kosova kërkon të anëtarësohet sa më shpejt në NATO, për të rritur parametrat e sigurisë, sidomos pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

“Pra, praktikisht, arsyeja kryesore pse njerëzit e Kosovës dhe vizioni ynë si liderë institucionalë të Kosovës, po ecën drejt anëtarësimit të Kosovës në NATO, është siguria dhe mbrojtja. Por gjithashtu edhe sepse ne nuk e shohim NATO-n thjesht si një makinë ushtarake, por e shohim si një sistem të bazuar në vlera”, tha Osmani në një intervistë për CNN me gazetaren Becky Anderson.

Osmani kujtoi edhe një herë ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë gjatë luftës.

“Në vitin 1999, kombet e NATO-s dhe aleatët e NATO-s nuk qëndruan duarkryq teksa populli i Kosovës ishte duke u pushtuar dhe në të njëjtën kohë, mbi të po kryhej gjenocid nga forcat e Millosheviçit. Sigurisht, viti 1999 është një shembull se si kur bota qëndron së bashku dhe kur demokracia qëndron së bashku, njerëzit mund të udhëhiqen drejt lirisë dhe pavarësisë”, tha ajo.

“Pra NATO përfaqëson vlera që janë themelore, që janë pjesë e rëndësishme e strukturës së shoqërisë sonë dhe siç thashë, do të thotë gjithashtu siguri dhe mbrojtje për këtë pjesë të botës që ka vuajtur kaq shumë për shkak të diktaturave dhe regjimeve hegjemoniste që udhëhiqen nga Serbia”, shtoi ajo./express

Shtuar 2.07.2022 20:49