Opozita nesër në protestë për “TikTok”-un, “blindohet” Kryeministria

Hyrja e Kryeministrisë është “blinduar” këtë mbrëmje pasi ditën e nesërme pritet që opozita të protestojë për mbylljen e rrjetit social “Tik Tok” në Shqipëri. Protesta kombëtare është thirrur nga opozita e cila ka kërkuar në polici rreth dy orë leje për tubimin, duke nisur nga ora 19:00 deri në orën 21:00.

Partia Demokratike njoftoi më herët qytetarët se ditën e nesërme do të mblidhen në Bulevardin Dëshmorët e Kombit para Kryeministrisë.

Mësohet se në terren do jenë rreth 1200 efektivë të policisë ndërsa në gatishmëri janë forcat RENEA nëse do të jetë e nevojshme ndërhyrja e tyre.

Efektivët e policisë do të jenë të pajisur me maska kundërgaz si dhe përgjatë bulevardit do vendosen kamera për të identifikuar tubuesit e dhunshëm.

Kordoni me efektivë policie para Kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj do të vendoset një orë para nisjes së protestës.

Një pjesë tjetër e efektivëve do të qëndrojnë në godinat e tjera, si Kuvendi, Bashkia e Tiranës apo Ministria e Brendshme.

Në terren do të përfshihen edhe agjentë civilë për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës, si dhe për të mbajtur nën vëzhgim personat që në protestat e mëparshme kanë kryer akte dhune.


Shtuar 14.03.2025 23:38