Nesër protesta, PD spot dedikuar diasporës: Regjimi i Ramës përzuri 600 mijë shqiptarë në 9 vite

Partia Demokratike ka shpërndarë spotin e radhës në kuadër të protestës së nesërme që do të zhvillohet para Kryeministrisë dhe ai i dedikohet diasporës shqiptare.

“7 korriku, thirrja e diasporës për protestën në një spot. 600 mijë shqiptarë të larguar në nëntë vite. Shqipëria vazhdon të humbasë pjesën më vitale të saj. Shpopullimi i Shqipërisë nuk është një konspiracion, por një agjendë që shënon dramën më të madhe të vendit tonë, një dramë e shkaktuar nga humbja e shpresës dhe frika për të ardhmen”, thuhet në deklaratën e PD.

Sipas selisë blu diaspora përbën shtresën më të nëpërkëmbur nga qeveria, ndërsa thekson se tashmë ka një vizion konservator i përfaqësuar nga PD, që emigrantët shqiptarë e mbështesin dhe për këtë arsye i bashkëngjiten edhe protestës.

“Politikat e shpopullimit dhe një opozite e kapur shtynë intelektualët, shtresën e mesme, zanatçinjtë e rininë të braktisin familjet, komunitetin e pronën e tyre, gjerat më të shtrenjta për çdo individ. Por tani një drite shprese është ndezur dhe diaspora qëndron përkrah opozitës se vërtete. Diaspora përkrah vizionin konservator të Partisë Demokratike, e vetmja alternativë që mundëson ndryshimin e vërtetë. Komunizmi vriste rininë, intelektualet dhe fjalën e lire.  Regjimi i sotëm i përzë nga Shqipëria, duke vrarë të ardhmen e atdheut tonë. Koha te ndalim te keqen sot. Nesër do te jete tepër vone! Në 7 korrik t’i themi jo agjendës së shpopullimit, të rikthejmë në atdhe shqiptarët e përzënë dhe t’i japim Shqipërisë një të ardhme!”, thuhet më tej.