Në kërkim për shitje të lëndëve narkotike, vihet në pranga 22-vjeçari në Tiranë

Në kuadër të megaoperacionit “Tempulli 2”, policia e Tiranës ka vënë në pranga një 22-vjeçar i shpallur në kërkim, ku shkon në 72 numri i shtetasve të ndaluar.

Gjatë zhvillimit të këtij megaoperacioni, janë sekuestruar 14 kg kanabis, 5.3 kg kokainë, 170-gram heroinë dhe 11 peshore elektronike, 4 armë zjarri pistoleta dhe 1 armë zjarri automatik, 70 celularë, 11 automjete, 2 186 000 lekë, 11 610 euro, 630 paund.

Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të megaoperacionit policor mbarëkombëtar të koduar “Tempulli 2”, bazuar dhe në inteligjencën informative, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat, në Allias, është lokalizuar, kapur dhe ndaluar shtetasi  22 vjeç, banues në Tiranë, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim, në kuadër të këtij megaoperacioni.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.