Mijëra fluturime në aeroportet amerikane u pezulluan pas një ndërprerjeje në sistemin e kontrollit të trafikut ajror. Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, tha se dyshimet për defektin lidhen me punimet për riparimin e kabllove të vjetra të bakrit, megjithëse shkaku i saktë nuk është përcaktuar ende.
Në një konferencë për shtyp, Duffy përjashtoi një sulm kibernetik nga një shtet i huaj. Ai shpjegoi se sistemi rifilloi punën pasi autoritetet izoluan zonën ku po zhvilloheshin punimet.
Të lidhura
None found
“Ne nuk besojmë se ishte një sulm kibernetik”, tha ai. Sipas Duffy-t, ndërprerja mund të jetë shkaktuar nga mosreagimi në atë moment i një sistemi të FAA-së ose i kontraktorit, apo nga mosfunksionimi i pajisjeve.
Sekretari sqaroi se defekti nuk lidhej me përmirësimin e platformës SMART, të projektuar për të ndihmuar pilotët të navigojnë në kushte të vështira atmosferike.
Duffy i kërkoi sërish Kongresit amerikan fonde shtesë për modernizimin e infrastrukturës së kontrollit të trafikut ajror. Deri tani, sipas tij, janë investuar 12.5 miliardë dollarë, ndërsa duhen fonde të tjera që investimi i përgjithshëm të arrijë në 50 miliardë dollarë. “Sa gjatë do të presim, Amerikë?”, pyeti ai, duke e cilësuar ndërhyrjen në sistemin aktual si urgjente.
Ai pranoi shqetësimet e mëdha që ndërprerja u shkaktoi udhëtarëve, por theksoi se siguria është përparësia kryesore. Duke folur për pasagjerët e prekur nga anulimet, Duffy u shpreh: “Dua që ata të kthehen në shtëpi shëndoshë e mirë”.
Drejtuesi i Administratës Federale të Aviacionit (FAA), Brian Bedford, u kërkoi ndjesë udhëtarëve. Ai tha se pezullimi i fluturimeve u urdhërua si masë paraprake, për t’u dhënë autoriteteve kohë të identifikonin problemin dhe për të ulur presionin mbi sistemin.
Sipas Bedford, pezullimi katërorësh preku rreth 20 mijë fluturime. Prej tyre, 8 mijë u rikthyen në program, ndërsa 12 mijë nuk u realizuan, përfshirë rreth 9 mijë fluturime komerciale.
Bedford paralajmëroi se gjatë ditës mund të anuloheshin 4 mijë deri në 5 mijë nga 41 mijë fluturimet e planifikuara, ndonëse tha se faza më e rëndë e situatës kishte kaluar. Ai shtoi se problemet në sistem do të vijojnë derisa të zëvendësohet infrastruktura e vjetëruar.
Operacionet nisën të riktheheshin gradualisht, por vonesat dhe anulimet vazhduan të preknin mijëra udhëtarë. Në kohën e raportimit, të dhënat e FlightAware tregonin 3,807 fluturime të anuluara dhe 2,145 të vonuara.
Delta Air Lines numëronte 652 anulime, United Airlines 553 dhe American Airlines 520. Ndër aeroportet me problemet më të mëdha ishin O’Hare në Çikago, Hartsfield-Jackson në Atlanta dhe John F. Kennedy në Nju Jork.
Duffy tha se autoritetet po punojnë me kompanitë ajrore për rikthimin e plotë të operacioneve, por paralajmëroi udhëtarët se vonesat dhe anulimet do të vazhdojnë ende.







