Murgesha që luan bilardo, rrëfimi i veçantë i motër Almës

Motër, Alma Zogu, në moshën 18-vjeçare bëri betimin e murgeshës, pavarësisht kundërshtive të forta nga familja e saj.

Sipas saj, ka qenë beteje shumë e gjatë me familjen dhe fisin, sepse sipas tyre ishte një jetë e humbur, dhe e dështuar. “Ëndërronin që të vazhdoja shkollën e lartë. Në zonën time, ishte diçka e pazakontë, më thoshin se murgeshë bëhet dikush që nuk ka zgjidhje tjetër, ose ka mangësi fizike. Unë studioja, kisha rezultate të mira dhe ata mendonin se do të vazhdoja studimet e larta dhe do të krijoja familje”.

Motër Alma tregon se momenti më i vështirë ka qenë, kur gjyshi i tha se do ta mohonte nëse ndiqte rrugën e Zotit. “Akoma nuk kisha mbushur 18 vjeçe kur mora vendimin dhe të kundërshtoja familjen dhe një fis të tërë do të ishte e pamundur, por ia dola. Momenti më i fortë ka qenë kur gjyshi im tha, nëse do të dalësh nga kjo derë, nuk do të hysh më. Ka qenë vuajtje shumë e fortë për mua. Unë isha e bindur dhe i thashë nëse doni sadopak lumturinë time, më lini. Gjyshi im është zbutur kur unë kam bërë betimin, ka hyrë për herë të parë në kishë,dhe duke parë kryqin më tha që ishte zgjedhja e duhur. Më tha jam i lumtur sot sepse të shoh ty të lumtur”.

Ajo rëfen për “Shqipëria live”, cilat ishin arsyet që e nxitën drejt këtij vendimi. “Dëshira për t’ia kushtuar jetën Zotit lind që në adoleshencën time, besoj se vijmë në këtë botë me një plan nga Zoti. Zoti këtë plan e realizon në mënyra të ndryshme. Gjyshja ime ishte një besimtare shumë e devotshme, që ka vuajtur lirinë për të shpallur fenë gjatë komunizmit, por që e vogël, na thoshte që nuk është mirë të folemë pa iu lutur Zotit dhe ne luteshim në fshehtësi. Gjysha ishte i vetmi person, që thoshte nëse Zoti do, ju nuk do ta ndaloni dot.

Një tjetër arsye, është, kur në një moment të lutjes, dëgjova thellë disa fjalë, nga kënga e këngëve, e forcoi dëshirën time që t’ia kushtoja jetën Atij që më kërkonte”.

Tashmë ajo jep mësime të gjuhës italisht dhe jep kontributin e saj në një qendër multikulturore për të rinjtë. Është gjithnjë në kontakt me fëmijët, por a e ka menduar ndonjëherë, se mund të kishte krijuar vetë familje? “Nuk më ka lindur në asnjë moment. Unë jam nënë e shumë fëmijëve, dhe jam shumë e bindur që nënë nuk të bën vetëm të lindësh fëmijë, ndihem vërtet nënë e shumë të rinjve të zonës, të gjithë energjinë që kam ua fal atyre.

Ka pasur momente që vërtet kam reflektuar, a e do Zoti vërtet këtë që po bëj. Kam peshuar mendimet, midis të pasurit një familje dhe shërbimit të Zotit dhe kam kuptuar se kam bërë zgjedhjen e duhur”.

Rruga që ka ndjekur thotë se nuk e ka penguar të ndjekë pasionet e saj. “Të bëhesh motër nuk do të thotë të heqësh dorë nga vetvetja, përkundrazi, përforcon vetveten. Më pëlqen të luaj bilardo, i kam shoqëruar të rinjtë në kampionate të ndryshme, ne jemi aty ku janë të rinjtë”. /tch

 

Shtuar 18.03.2021 07:03