Mosgrumbullimi i Kamberit, Reja: Nuk na ka kthyer përgjigje, ndoshta s’është entuziast

Florian Kamberi nuk i është përgjigjur ftesës së Edy Rejas për dy ndeshjet miqësore të qershorit me Uellsin dhe Çekinë. E zbuloi vetë trajneri i kuqezinjve në konferencën për shtyp me rastin e shpalljes së listës për dy sfidat e ardhshme.

“Kemi disa probleme për sa i përket pjesës së portierëve. Berisha dhe Strakosha kanë pasur problem fizike. Do flasim edhe me stafin mjekësor kur të gjithë lojtarët të jenë këtu, për t’i parë nga afër. Pasi të kenë mbaruar ndeshjet e kampionatit shqiptar, mund të bëj ndonjë ndryshim për sa i përket portës. Sa i përket Kamberit, kemi folur me përfaqësuesin e tij, nga i cili nuk kemi marrë një përgjigje, si duket nuk është entuziast. Do ta ndjekim në vazhdimësi, nuk mund të themi se është mbyllur këtu.

Mungesat: “Në ndeshjet e Ligës së Kombeve kemi bërë shumë eksperimente, lista është e madhe, e cila sa vjen dhe bëhet më e shkurtër. Shumë lojtarë të rinj ende nuk janë gati, prandaj nuk po i shikojmë në vazhdimësi. Ka shumë lojtarë të rinj, të cilët luajnë me ekipe të njohura në Europë. Për ndeshjet e Botërorit, do të bazohem të ata lojtarë që janë në formë dhe më japin besim. Mihaj ka probleme fizike, po ashtu edhe Dermaku me Hysajn. Ky i fundit ka edhe çështjen e kontratës dhe nuk është në një moment të mirë. Themi shpesh që kemi ndeshje miqësore, por për mendimin tim miqësoret nuk ekzistojnë. Kemi përballë dy ekipe të forta.”

Nedim Bajrami: “Për Bajramin do flasim në vijim. Dëshira e tij është e madhe për të ardhur këtu. Është nga më të mirët në Serie B. Ka aftësi të mira për të dribluar. I kalon lehtë kundërshtarët. Do të ishte ideal për ekipin tonë. Dëshira është e madhe që të zgjidhet gjithçka dhe besoj se do jetë një fund i lumtur”.

Lojtarët e Superiores: “Për mua nuk janë dy ndeshje miqësore, por janë ndeshje të rëndësishme për atë që presim. I kam lënë një javë pushim për të qenë gati, deri të shtunën do jenë gati. Kemi dy kundërshtarë të rëndësishëm. Lojtarët duhet dhe besoj se do të jenë të motivuar”.

Dëshira për fanellën kuqezi: “Hungaria ka bërë mirë, ashtu si Polonia që njihet për aftësitë e saj. Duhet të bëjmë mirë në këto ndeshje për të qenë gati në shtator. Ne kemi një strukturë të ngritur tani dhe një grup lojtarësh me kualitet. Për të gjithë lojtarët, që vijnë në Kombëtare, luajnë apo jo, motivimi duhet të jetë në maksimum. Për një lojtar, grumbullimi në Kombëtare, është arritje e madhe. Kam folur me prindërit e disa lojtarëve në Itali, kanë pasur entuziazëm të madh. Unë them që kjo është ajo që na duhet, lojtarë entuziastë, që janë pjesë e Kombëtares, kjo është ajo që na duhet.”

Mosgrumbulli i Gjasulës dhe Rrocës: “Sa i përket Rrocës, është një lojtar interesant, e kam ndjekur në vazhdimësi. Me Gjasulën kam folur dhe ka pasur probleme, ka edhe probleme në klub, ku do ndryshohet stafi. Më kërkoi leje të mos ishte në këto ndeshje dhe ne e kuptuam. Kemi lojtarë në të gjitha pozicionet. Do të kemi në fushë një ekip për të përballuar me Çekinë dhe Uellsin.”

Shtuar 26.05.2021 12:05