Mjekët e vaksinuar kundër COVID-it rekomandojnë qytetarët të veprojnë njëjtë

Deri dje në Kosovë kanë arritur që të vaksinohen rreth tre mijë punëtorë shëndetësorë me vaksinën e vetme që ka arritur deri tani në Kosovë përmes programit COVAX, “AstraZeneca”, vaksinimi i të cilëve po vazhdon ende të bëhet në sallën “1 Tetori” në Prishtinë dhe në shtatë komunat ku është i organizuar Kujdesi Dytësor Shëndetësor.

Në mesin e të vaksinuarve janë edhe personeli shëndetësor i Policisë së Kosovës, ndërsa vaksinimi i grupmoshave mbi moshën 80 vjecë pritet që të fillojë nga fundi i kësaj jave. Këto të dhëna i ka bërë të ditur zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti dje në një konferencë për media.

Fondi Ndërkombëtar i Emergjencave të Fëmijëve të Kombeve të Bashkuara (UNICEF), programi në Kosovë, ka bërë publike në “Twitter” disa nga përshtypjet e punonjësve shëndetësorë në Kosovë, të vaksinuar ditëve të fundit kundër koronavirusit, raporton Zeri.info.

Haki Bajrami, punëtor shëndetësor, pas vaksinimit ka thënë se ishte me fat që u vaksinua kundër COVID-19, teksa ka theksuar se vaksina është mënyra më e sigurt për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve.

“Jam shumë i lumtur dhe me fat që kisha mundësinë të vaksinohem kundër COVID-19. Vaksina është mënyra më e sigurt për të mbrojtur shëndetin tonë, pacientët tanë dhe qytetarët tanë në tërësi”, ka thënë mjeku, Haki Bajrami.

 

Një tjetër mjek që u vaksinua me vaksinën “AstraZeneca” ka deklaruar se koronavirusin e ri e kishte kaluar në gusht të vitit të kaluar dhe se thotë se vaksinën e mori që të ndjehet më i sigurt.

“E kam kaluar COVID-19 në gusht të vitit 2020. Nuk ka ilaçe ekskluzive për viruset, kështu që vaksina është mënyra e vetme për t’u mbrojtur. Disa prej kolegëve të mi u infektuan për të dytën herë, dhe tre prej kolegëve anesteziologë të moshës sime vdiqën. Unë mora vaksinën që të jem më i sigurt”, tha mjeku Muharrem Krasniqi.

Po ashtu vaksinën anti-COVID e ka marrë edhe specialistja e sëmundjeve infektive, Njomza Geci.

Ajo theksoi se vaksina është shpëtimi i vetëm i qytetarëve, teksa pati një mesazh për të gjithë ata që kanë mundësinë të vaksinohen.

“Unë ndjehem e lumtur që është radha jonë për t’u vaksinuar. Vaksina bazohet në prova shkencore dhe mendoj se është shpëtimi ynë i vetëm. Mesazhi im është që kushdo që ka mundësinë të vaksinohet, nuk duhet të hezitojë që ta bëjë këtë”, tha doktoresha Njomza Geci, Specialiste e Sëmundjeve Infektive.

Me 1 prill të këtij viti u vaksinua edhe një teknik i farmacisë në Barnatoren e Klinikës së Sëmundjeve Infektive, Adriatik Mehmeti.

41-vjeçari ka thënë se ndjehet shumë mirë që është vaksinuar dhe thotë se nuk ka asnjë ankesë sa i përket vaksinës.

“Sapo kam marrë vaksinën, ndjehem shumë mirë dhe nuk kam asnjë ankesë. Unë i inkurajoj të gjithë qytetarët të vaksinohen sepse kjo është mënyra e vetme për të mbrojtur veten nga virusi”, tha Mehmeti.

Specialisti i ORL-së, Idriz Hoxha, i vaksinuari tjetër me “Astra Zeneca”, thotë se nuk ka dyshime për vaksinën duke theksuar se marrja e saj është thelbësore për mbrojtjen e shëndetit publik.

“Vaksinat janë legale, ato shpërndahen nga institucionet dhe Ministria e Shëndetësisë. Si punëtorë të shëndetësisë, ne kemi besim dhe nuk kemi dyshime dhe as hezitime për vaksinën. Marrja e vaksinës është thelbësore për mbrojtjen e shëndetit publik”, tha Hoxha, raporton Zeri.info.

“Sot ndihem jashtëzakonisht mirë, kam marrë dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19. Është një fillim i mirë i pranverës”, thotë Gjyle Mexhuani, një infermiere në Qendrën e Shëndetit Familjar në Prishtinë, pasi mori dozën e parë të vaksinës.

Ndërkaq, “Zëri” ka provuar të kontaktojë me zëdhënësin e Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hotin, për numrin e saktë të të vaksinuarve deri më tani, mirëpo i njëjti ka qenë i paqasshëm.

Nga MSH-ja, dje është thënë se ditëve në vijim, vaksinimi do të shtrihet në mesin e punonjësve shëndetësorë në Kujdesin Parësor Shëndetësor dhe më pas, edhe tek moshat e shtyra, sipas Planit Shtetëror të Vaksinimit kundër COVID-19.

Në Kosovë, deri më sot kanë arritur vetëm 24 mijë doza vaksinash “AstraZeneca”, ndërsa është thënë se do të arrijë edhe një sasi prej 100.620 dozash “Pfizer-BioNTech” në qershor përmes programit COVAX. /Zëri

 

 


Shtuar 6.04.2021 23:51