“Mirënjohjen më të thellë për aktin heroik të Klodianit”, Meta: Akt frymëzues në ditën e sovranit (FOTO LAJM)

Kreu i shtetit, Ilir Meta, ka reaguar pas ngjarjes së frikshme që ndodhi ditën e sotme në sheshin “Skënderbej”. Presidenti shpreh mirënjohje për gjestin e 22-vjeçarit, Klodian Elqeni, i cili ndërhyri për të neutralizuar 32-vjeçarin, Arben Mema. Ky i fundit po bënte veprime të pakontrolluara me makinën e tij, duke rrezikuar jetën e qytetarëve që ndodheshin në shesh.

Në një postim në “Facebook”, Meta shprehet se Klodiani shpëtoi sot jetën e dhjetëra qytetarëve duke parandaluar një ngjarje të rëndë. Kreu i Shtetit shton se pikërisht në ditën e zgjedhjeve, akti i tij është shembull frymëzues për të gjithë.

“Falënderim dhe mirënjohjen më të thellë për aktin heroik të Klodianit, i cili shpëtoi sot jetën e dhjetëra qytetarëve dhe parandaloi një ngjarje tepër rëndë në Sheshin “Skënderbej”.

Sot në Ditën e Sovranit, të Demokracisë dhe të Qytetarisë, akti i tij është një shembull frymëzues për të gjithë!”, ka shkruar presidenti Ilir Meta.

 

Shtuar 25.04.2021 14:13