Ministria e Mbrojtjes njoftoi për gjendjen më të fundit të zjarreve në vend, bazuar në të dhënat e përditësuara në orën 20:00 të datës 3 shtator 2026.
Gjatë ditës u evidentuan gjithsej 27 vatra zjarri. Prej tyre, 17 janë shuar, 2 vijojnë të monitorohen, ndërsa 8 janë ende aktive.
Të lidhura
None found
Për menaxhimin e situatës janë vënë në dispozicion 265 forca operacionale dhe 38 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të tyre janë angazhuar edhe 170 efektivë të Forcave të Armatosura me 3 automjete zjarrfikëse, ndërsa helikopterët e Forcës Ajrore kanë marrë pjesë në katër operacione.
Ndërhyrjet janë përqendruar kryesisht në qarqet Dibër, Lezhë, Tiranë dhe Shkodër.
Në qarkun Dibër, ekipet po punojnë për shuarjen e zjarreve në Vajkal, Lundre–Madhesh dhe Mallunxë–Lis. Në zonat e Matit operacionet janë mbështetur edhe nga ajri. Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se këto vatra nuk përbëjnë rrezik për banesat.
Në zonën e Dajtit është riaktivizuar një vatër, por aty janë dislokuar 60 forca dhe, sipas vlerësimit të situatës, zonat e banuara nuk janë në rrezik.
Problematika më e madhe raportohet në qarkun Lezhë, në aksin Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, ku është kryer edhe evakuimi i banorëve.
Në këtë zonë po operojnë dy helikopterë të Forcës Ajrore, 50 forca ushtarake dhe 3 automjete zjarrfikëse, në bashkëpunim me strukturat vendore.
Në Mnelë të Vogël, në Vau të Dejës, flakët kanë humbur intensitetin dhe rreziku për zonat e banuara është eliminuar. Grupet e ndërhyrjes vazhdojnë punën për shuarjen e plotë të zjarrit.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po ndjek situatën në të gjithë territorin, në bashkërendim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Forcat dhe mjetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për reagim, ndërsa prioritet është garantimi i sigurisë së qytetarëve, banesave dhe pasurisë së tyre.
