Meta përkujton viktimat e komunizmit e thumbon Ramën: Regjimet përsëriten

Presidenti i vendit, Ilir Meta ka përkujtuar viktimat e regjimit komunist në shqipëri.

Në mesazhin e tij të përcjellë përmes Facebookut të tij, Meta thekson se regjimi komunist solli një seri vrasjesh burgosjesh e internimesh ndaj njerëzve të pafajshëm.

Ai ka shtuar se nëse historia harrohet ka të ngjarë të përsëritet.

Mesazhi i Metës:

Dita Europiane e Përkujtimit të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit na sjell sot në vëmendje jetët e pafajshme të martirizuara në emër të lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor, dhembjet dhe sakrificat e mijëra të burgosurve e të persekutuarve, të mbijetuar të terrorit, krimeve dhe shtypjes në kampet e vdekjeve dhe internimeve.

Nderimi i kujtimit të tyre duhet të ushqejë angazhimin tonë të përbashkët dhe të pandalshëm për të zhvilluar, mbrojtur dhe respektuar demokracinë, të drejtat dhe liritë e njeriut, për të mos e ndalur luftën ndaj shfaqjeve të sotme të autoritarizmit, intolerancës, përjashtimit dhe ekstremizmit.

Sepse siç na ka mësuar përvoja njerëzore, tragjeditë e së shkuarës janë të destinuara të përsëriten nëse e harrojmë historinë.

Vetë integrimi europian ka në themel aleancën e popujve të lirë kundër diktaturave dhe regjimeve hibride./albeu.com


Shtuar 23.08.2021 13:57

Tags: