Mediat turke raportuan sot për një interesim të mundshëm të Romës për Ernest Muçin. Paraqitjet e shkëlqyera të mesfushorit të Shqipërisë me Trabzonspor kanë bërë që emri i pogradecarit të bëjë jehonë përtej kufijve të Turqisë, veçanërisht në Itali, ku Muçi shihet si një alternativë për ekipin e drejtuar nga Gian Piero Gasperini.
Në artikullin e medias turke u përmend edhe shuma që Trabzonspor kërkon për të lënë të lirë Ernest Muçin. Bëhet fjalë për plot 22 milionë euro, të cilat do të mjaftonin për ta transferuar shqiptarin në elitën e futbollit italian. Nëse kjo kërkesë plotësohet dhe shuma paguhet në arkat e gjigantit turk, Muçi do të bëhej automatikisht shqiptari më i vlefshëm në arenën evropiane, por njëkohësisht edhe lojtari më i shtrenjtë i Kombëtares.
Të lidhura
None found
Deri më sot, këtë status në tregun e vlerësimeve e ka mbajtur Anis Mehmeti me 13 milionë euro, sipas “Transfermarkt”, por mungesa e aktivizimit me Ipswich Town në Premier League ka bërë që lojtari të mbetet disi në hije.
Për Ernest Muçin, i cili aktualisht vlerësohet 11 milionë euro nga Transfermarkt dhe u ble për 8 milionë nga Besiktas, ky transferim do të ishte një tjetër trampolinë e madhe në karrierë, duke marrë parasysh rritjen e vazhdueshme nga Tirana te Legia Warsaw, Besiktas dhe tashmë te Trabzonspor. Pogradecari ka shprehur dëshirën për të kaluar te Liverpool, ëndërr për 25-vjeçarin, por edhe një kalim te Roma do të konsiderohej arritje e jashtëzakonshme për të.






