Mbi 664 mijë vaksinime anti-COVID të kryera në të gjithë vendin, kaq persona kanë marrë dozën e dytë

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka bërë me dije se në vendin tonë deri më tani janë kryer 664,452 vaksinime nga të cilat 212,418 janë doza të dyta.

Përmes një postimi në facebook ministrja shpreh mirënjohjen për vaksinatoret e përfshira në këtë proces.

Qeveria ka shpallur objektivin për të vaksinuar 1 milionë qytetarë brenda muajit qershor. Çdo javë do të vijnë vaksina antiCOVID sipas kalendarit të lëvrimit të kontratave të siguruara në mënyrë që të arrihet sa më shpejt kryerja e 1 milion vaksinimeve në të gjithë vendin. Kroacia disa ditë më parë mori vendimin për të dhuruar 20 mijë doza vaksine kundër koronavirusit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Secili shtet do të marrë nga 10 mijë doza, ndërsa vendimi u mor nga Ministri i Jashtëm kroat, Gordan Grlic. Vijimi i procesit të vaksinimit masiv do të sjellë edhe një sezon turistik më të lehtësuar. Njëkohësisht edhe shifrat ditore të COVID kanë shënuar ulje drastike me vijimin e procesit të vaksinimit.


Shtuar 16.05.2021 12:50