Paraditen e sotme, nënkryetari i PD, Oert Bylykbashi, ishte një nga pjesëmarrësit në protestën e zhvilluar në hyrje të Portit të Durrësit, kundër mbetjeve toksike që pritet të mbërrijnë mëngjesin e së hënës në këtë port.
Deputeti Bylykbashi, një prej ligjvënësve të opozitës që në zgjedhjet e fundit mori mandatin pikërisht nga qarku Durrës, tha se ky port është skenë krimi dhe është prova se si janë grabitur shqiptarët në një nga pasuritë më të mëdha dhe strategjik të vendit.
Bylykbashi i ka bërë thirrje SPAK, që të nisë hetimet lidhur me këtë skandal. Ai tha se nuk mjafton vetëm transparenca, por duhen hetime që të zbardhin atë që ka ndodhur.
“Unë jam një qytetar si të gjithë ju, një durrsak, ku po rrezikohemi me mbetjet toksike që do të helmojnë jetën e qytetarëve.
Jemi mësuar të dëgjojmë skandale njëra pas tjetrës por ky është një nga ato që shqetëson çdo prind për shëndetin e fëmijëve për tani dhe për të ardhmen.
Qyteti i Durrësit mban vendin e parë për sëmundjet që vijnë nga ndotja e ambientit. Çfarë do të indohet nëse Rrjeti i Bazelit nuk do të denonconte këtë skandal dhe vepër penale.
Nëse nuk do të kishin reaguar organet e shteteve tjera nuk do të merrnin vesh asgjë, ata do të vinin dhe të groposeshin pa asnjë dijeni për qytetarët.
Ky është model kriminal qeverisëse, është detyra jonë qytetare të reagojmë fort për të gjithë ata që kanë lidhje me këtë skandal.
Ky port është kthyer nën qeverisjen e Ramës në një vatër të krimit të organizuar, këtu kalojnë kotinier me drogë dhe nuk kap njeri.
Ky port është skenë krimi dhe është prova se si janë grabitur shqiptarët në një nga pasuritë më të mëdha dhe strategjik të vendit. Pyetja është ky ndodhet prokuroria, është skenë krimi dhe prova edhe organi hetues duhet të jetë këtu për të hetuar dhe nxjerrë përgjegjësit”, u shpreh ai.