Maqedonia e Veriut feston 30-vjetorin e pavarësisë

Maqedonia e Veriut festoon sot 30-vjetorin e pavarësisë. Gjatë ditës së sotme, me rastin e kësaj feste, do të parakalojnë në qendër të qytetit punonjësit shëndetësorë, sportistët, zjarrfikësit, policia dhe ushtarët, minatorët, fermerët, vullnetarët e Kryqit të Kuq, si dhe ansamble kombëtare dhe shoqatat kulturore dhe artistike.

Maqedonia e Veriut, pavarësinë e saj e fitoi përmes një referendumi popullor, i cili e shpalli atë shtet të pavarur dhe sovran.

Sipas vlerësimeve shtetërore të asaj kohe, mbi 95% të qytetarëve që dolën në referendumin e 8 shtatorit të vitit 1991, iu përgjigjën pozitivisht pyetjes së referendumit “A jeni për Maqedoni të pavarur me të drejtë të hyjë në fuqi në aleancën e ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë”,

Referendumit i parapriu Deklarata për Pavarësi, të cilën Parlamenti i parë i Maqedonisë shumëpartiake e miratoi më 25 janar të vitit 1991. Formalisht, vullneti i popullit për shtet të pavarur ishte konstatuar me Deklaratën për pranimin e rezultateve të referendumit më 18 shtator të vitit 1991 në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

Hap i ardhshëm me rëndësi në përforcimin e shtetit ishte miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor 1991.

10 vjet më vonë Kushtetuta u plotësua pas konfliktit të vitit 2001 dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Shtetësinë e Maqedonisë e para e njohu Republika e Bullgarisë, pas çfarë pasuan njohjet nga Turqia, Sllovenia, Kroacia, Rusia, Bosnjë e Hercegovina./albeu.com


Shtuar 8.09.2021 10:17