“Malli” në Durrës: Sekuestrohet pasuria e dy të arrestuarve, kontrolle në 4 kontejnerë të tjerë

Dy personave, Erion Peti dhe Klajdi Xibraku, të arrestuar ditën e shtunë nga prokuroria e Durrësit si të dyshuar në trafikimin e 143 kg kokainë nga Ekuadori në Shqipëri, do ti sekuestrohet pasuria.

Prokuroria e Durrësit që po udhëheq hetimin për këtë rast, të trafikut ndërkombëtar të drogës, ka nisur paralelisht një hetim pasuror, ku është duke verifikuar pasuritë dhe llogaritë bankare të dy personave të arrestuar.

Hetimi tashmë është në fazën fillestare, por pritet që në ditët në vijim mbi kompaninë “Masabi Fruits” të vendoset masë sekuestrimi. Masa e bllokimit do vendoset në çdo pasuri dhe llogari bankare që disponohet nga dy personat e arrestuar në 11 prill 2021 në Durrës.

Kjo është çështja e dytë që rregjistrohet brenda një kohe shumë të shkurtër në prokurorinë e Durrësit, pasi në 1 Prill 2021, në një kontinjer tjetër të mbëritur nga Ekuadori në Durrës, janë gjendur 49 kg kokainë, për të cilën është arrestuar Selim Çekaj, babai i Arbër Çekaj.

Ndërkohë përgjatë katër ditëve nga operacioni “El Mejor” ku u bllokuan 143 kg kokainë, agjentët e antidrogës kanë kryer dhe kontrollin fizik të imtësishëm të katër kontinjerëve të tjerë që kanë mbëritur nga Ekuadori. Kontrolli, është kryer pas dyshimeve se në trupin e kontinjerëve është futur drogë. Në të katër rastet e kontrolluara, policia ka dalë “duarbosh”, pasi nuk është arritur të gjendet sasi kokaine.

Xibraku dhe Peti, gjatë maerjes në pyetje, nuk kanë pranuar autorësinë e krimit, duke treguar se nuk kanë dijeni për praninë e kokainës në kontinjer. Dy të arrestuarit kanë vënë në dispozicion të prokurorisë së Durrësit, disa e-maile që kanë shkëmbyer me kompaninë ekuadoriane ku blinin bananet.

Por kjo nuk i ka shpëtuar ata nga ndjekja penale dhe dyshimet si të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës.

Të ndaluarit, kanë pranuar se për hir të biznesit kanë udhëtuar disa herë në drejtim të Ekuadorit, por vizitat në këtë shtet kanë ndodhur vetëm për shkaqe pune, duke vendosur kontaktet me kompanitë e tregtimit të bananeve.

“Masabi Fruits”, është një kompani e themeluar dy vite më parë në Shqipëri.

Policia kriminale dhe strukturat e hetimit të drogës, mësohet se kanë pasur edhe më parë informacion, se nëpërmjet kësaj kompanie trafikantë shqiptarë me qëndrim në Ekuador dhe në Shqipëri, realizonin tranportimin e drogës.

Me gjithë informacionet e dyshimta, agjentët kundër narkotrafikut asnjëherë, nuk morën masa për një kontroll të befasishëm në magazinat e kësaj firme.

Por pasditen e së shtunës në Portin e Durrësit, pikërisht në kontinjerin e kësaj kompanie janë sekuestruar 143 kg kokainë.

Sasia e drogës ishte e ndarë në pako me shënime të ndryshme, duke bërë që policia të ngrejë dyshime të forta se sasia e drogës i përket tre grupeve kriminale nga Shqipëria.

 

Shtuar 14.04.2021 02:04