Fatos Lubonja e ka cilësuar protestën, që tashmë ka hyrë në ditën e 30-të, si një lëvizje që duhet interpretuar në disa plane, ku në thelb, sipas tij, ajo përbën një kryengritje qytetare kundër një sistemi që i ka lënë qytetarët jashtë vendimmarrjes.
Duke folur për “Programin e drekës” në News24 me Ola Brukon, analisti tha se protesta bashkon njerëz me qëndrime të ndryshme politike apo mbi zhvillimin, por që i afron ndjesia e dinjitetit të cenuar dhe përjashtimi nga proceset ku merren vendimet.
Të lidhura
None found
Sipas Lubonjës, ky përjashtim nuk mbetet vetëm në plan simbolik, por ka prodhuar pasoja konkrete për qytetarët. Ai përmendi si shembull çështjen e pronave dhe zhvillimin e bregdetit, duke thënë se njerëzve po u merren tokat dhe po nxirren jashtë brigjeve të Adriatikut dhe Jonit.
Ai u shpreh gjithashtu se kjo është një masë njerëzore që po mëson demokracinë, ndërsa vlerësoi se protesta ka arritur të sensibilizojë opinionin publik si në vend, ashtu edhe jashtë tij, gjë që e konsideroi një arritje të kësaj lëvizjeje.
Lubonja theksoi se programi politik i protestës është dorëheqja e qeverisë aktuale dhe kalimi te një qeveri teknike. Sipas tij, realizimi i këtij objektivi kërkon këmbëngulje nga protestuesit për të vijuar qëndrimin e tyre.
“Kjo protestë mund të shihet në disa nivele. Ai bazë është; kryengritje kundër një sistemi ku qytetari është ndjerë i përjashtuar. Të gjithë ata njerëz që kanë pikëpamje të ndryshme mbi zhvillimin, i bashkon dinjiteti i fyer për shkak të përjashtimit nga vendimmarrja. Kjo i ka përjashtuar dhe nga gjerat reale, po i vjedh tokat dhe po i nxjerr jashtë brigjeve të Adriatikut dhe Jonit. Kjo është masë njerëzore që po mëson demokracinë. Senzibilizimin brenda dhe jashtë vendit, ka qenë në mënyrë të suksesshme. Programi politik i kësaj lëvizjeje është dorëheqja e kësaj qeverie, deri te qeveria teknike. Kjo kërkon këmbënguljen njerëzve për të ndenjur aty. Ku fola për senzibilizim ndërkombëtar, po duket se duan të fusin një narkoshtet në Europë për qëllimet e tyre. Kjo është e papranueshme dhe për shqiptarët. Kjo është dizastër dhe për Europën vetë. Ata e kanë kuptuar dhe po dalin këto gjëra në shtyp. Pse këta ça presin që të na masakrojnë në rrugë? Ne kemi policinë, shtetin, drejtësinë. Ndaj nuk jemi në regjimin e Enver Hoxhës. Nëse ky quhet revolucion, ai krijon një përmbysje, një tërmet të institucionet. Do të krijojë një kaos. Nga kaosi lind rendi.”, tha Lubonja.
